Qytetarët e Rrogozhinës kanë vijuar edhe këtë mbrëmje protestat kundër projektit për bashkimin e Bashkisë së Rrogozhinës me atë të Kavajës.
Protestuesit kërkojnë që Rrogozhina të ruajë statusin e bashkisë më vete, pasi sipas tyre qyteti ka historinë dhe identitetin e tij, ndërsa një bashkim me Kavajën mund të vështirësojë marrjen e shërbimeve për banorët.
Gjatë tubimit, qytetarët i janë drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe përfaqësuesve të mazhorancës me kërkesën që problemet e mundshme të bashkisë të zgjidhen përmes përmirësimit të administrimit dhe jo përmes shkrirjes së saj.
“Investoni në kapacitete. Nëse ka probleme në mbledhjen e të ardhurave, përmirësojeni administrimin”, tha një prej protestuesve.
Një tjetër qytetar theksoi: “Rrogozhina është shtëpia jonë, prandaj i themi qartë ‘jo’ bashkimit me Kavajën”.
Protesta zhvillohet në kuadër të kundërshtimeve që po shfaqen në disa bashki ndaj propozimit të Partisë Socialiste për rishikimin e hartës territoriale.
Sipas propozimit, numri i bashkive në vend do të ulet nga 61 në 46, ndërsa 15 bashki parashikohet të shkrihen ose të bashkohen me bashki fqinje më të mëdha.
The post Rrogozhina sërish në protestë kundër bashkimit me Kavajën: Kjo është shtëpia jonë appeared first on GIJOTINA.