Policia godet shpërndarjen e kokainës në rrugën “Egnatia”, dy të arrestuar

Policia thotë se 19-vjeçari u kap pikërisht në momentin kur po i dorëzonte një çantë 26-vjeçarit. Kontrolli që pasoi çoi në sekuestrimin e një sasie tjetër dhe të një “BMW”-je

Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin antidrogë të koduar “Momenti”, duke arrestuar në flagrancë dy persona të dyshuar për përfshirje në shitblerjen e kokainës.

Në pranga janë vënë D. Sh., 19 vjeç, dhe D. F., 26 vjeç, të cilët u kapën në rrugën “Egnantia”.

Sipas Policisë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve kishin siguruar informacion në rrugë operative për përfshirjen e dy të rinjve në veprimtari të dyshuar kriminale në fushën e narkotikëve dhe organizuan ndërhyrjen.

19-vjeçari u kap në flagrancë teksa, sipas autoriteteve, po i dorëzonte 26-vjeçarit një çantë brenda së cilës ndodheshin 211 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë.

Hetimet vijuan edhe me kontrollin e banesës së 19-vjeçarit, ku Policia njofton se gjeti dhe sekuestroi edhe 41 gramë të tjerë lëndë të dyshuar kokainë.

Në total, gjatë operacionit u sekuestruan 252 gramë kokainë, një automjet tip “BMW” dhe tre aparate celularë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

gijotina.com/

The post Policia godet shpërndarjen e kokainës në rrugën “Egnatia”, dy të arrestuar appeared first on GIJOTINA.