Divjaka nuk ndalet, 15 ditë protesta kundër shkrirjes së bashkisë

Banorët e Divjakës kanë vijuar për të 15-tën ditë radhazi protestat kundër reformës territoriale, duke kërkuar që qyteti të ruajë statusin e bashkisë më vete dhe autonominë vendore.

Në qendër të protestës së mbrëmjes së sotme ishte mungesa e këshilltarëve bashkiakë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, të zhvilluar gjatë paradites së sotme.

Protestuesit e konsideruan këtë një qëndrim të papranueshëm përballë një vendimi që, sipas tyre, prek drejtpërdrejt të ardhmen e Divjakës.

“Këshilltarët janë zgjedhur me votën tonë dhe duhet të jenë këtu në mbështetje të qytetarëve, jo të mungojnë në mbledhjet kyçe për të ardhmen e bashkisë sonë!”, u shprehën protestuesit.

Gjatë tubimit, qytetarët kundërshtuan gjithashtu deklaratat e mazhorancës për arritjet e qeverisë, duke thënë se realiteti me të cilin përballen familjet është rritja e kostos së jetesës dhe vështirësitë ekonomike.

Protesta u mbyll me një marshim në rrugët kryesore të qytetit, ndërsa protestuesit përsëritën thirrjen “Divjaka Bashki!”.

The post Divjaka nuk ndalet, 15 ditë protesta kundër shkrirjes së bashkisë appeared first on GIJOTINA.