Genti Progni: Shqipëria nuk shërohet me fasada, por me drejtësi

Genti Progni, gjatë protestës para Kryeministrisë, ngriti shqetësimin për padrejtësitë me të cilat, sipas tij, përballen qytetarët shqiptarë në jetën e përditshme.

Në fjalën e tij, Progni solli shembuj nga problemet me pronat, drejtësinë, shëndetësinë, punësimin dhe korrupsionin, duke argumentuar se qytetarët shpesh detyrohen të luftojnë për të drejtat e tyre për vite me radhë.

“Ky vend është sëmurë nga padrejtësitë”, u shpreh ai, duke sjellë si shembull familjet që presin për dekada për të marrë drejtësi për pronën e tyre.

Progni foli edhe për vështirësitë e familjeve përballë sistemit të drejtësisë, kostove të shëndetësisë dhe mungesës së mundësive për të rinjtë.

“Një i ri diplomohet dhe nuk ka një vend pune, kur një telefonatë vlen më shumë se diploma e tij. Sëmuresh dhe në momentin e vështirë duhet të mendosh se ke një sëmundje dhe sa kushton”, tha ai.

Ai kritikoi gjithashtu atë që e konsideroi si standard të dyfishtë në administratë dhe në zbatimin e ligjit, duke theksuar se disa qytetarë përballen me kontrolle dhe detyrime të vazhdueshme, ndërsa të tjerë, sipas tij, favorizohen përmes lidhjeve.

“Kemi normalizuar anormalen. Duhet një mik, nuk gjen drejtësi; kjo është tragjedia më e madhe”, deklaroi Progni.

Në fund të fjalës së tij, ai theksoi se qytetarët nuk kërkojnë privilegje, por respektimin e të drejtave themelore.

“Nuk kërkojmë favore, privilegje, por elementare. Që i drejti të mos ketë frikë dhe i padrejti të mos ketë pushtet. Shqipëria nuk shërohet vetëm me fasada, me pallate, por me drejtësi. Dorëheqje!” përfundoi ai.

The post Genti Progni: Shqipëria nuk shërohet me fasada, por me drejtësi appeared first on GIJOTINA.