I treti që nga viti 2010, Shqipëria do të marrë Eurobond 650 milionë euro në 2027

Shqipëria do të marrë 650 milionë euro borxh në tregjet e huaja vitin e ardhshëm. Ministria e Financave ka nisur përgatitjet për Eurobondin e tetë, ku zbatimi për herë të parë u realizua në vitin 2010.

Ergis Sefa, ekspert për ekonominë, shprehet: “Ky është një moment që qeveria e konsideron të favorshëm për të dalë në tregjet ndërkombëtare, pasi kushtet e financimit janë më të mira krahasuar me periudhat kur normat e interesit ishin shumë më të larta. Kjo mund të ulë koston e huamarrjes për buxhetin.”

Qeveria po përpiqet të përfitojë nga “tatëpjeta” e euros dhe normat ende të ulëta të interesit për të marrë hua të lira. Paratë do të përdoren kryesisht për të shlyer borxhet.

“Rifinancimi i borxhit është një praktikë normale në menaxhimin e financave publike. E rëndësishme është që borxhi i ri të merret me kushte më të favorshme sesa ai që zëvendëson, në mënyrë që të mos rritet barra e interesave për vitet në vijim”, tha Sefa.

Norma e interesit pritet të jetë mes 3 dhe 5 për qind, nivel ky i kënaqshëm nëse krahasohet me eurobondet e mëhershme.

“Shqipëria tashmë ka krijuar një histori në tregjet ndërkombëtare të kapitalit, çka e bën më të njohur për investitorët. Megjithatë, çdo emetim i ri duhet të shoqërohet me një strategji të qartë për uljen graduale të nivelit të borxhit publik dhe ruajtjen e stabilitetit fiskal.”

Kjo do të ishte hera e tetë që nga viti 2010 që vendi del në tregjet e huaja për të marr borxh. Deri më tani vlera e Eurobondeve shkon në mbi 4 miliardë euro.