Jo vetëm të BE, turizmi po rrit dhe bujqësinë e fqinjëve, zgjerohen importet e ushqimeve nga rajoni

Teksa prodhimi vendas bujqësor po thellon rënien nga viti në viti, kërkesa në rritje për ushqime po nxit jo vetëm ekonominë e Bashkimit Europian, por dhe atë të vendeve fqinjë.

Të dhënat e INSTAT për 6-mujorin e parë 2026 tregojnë se importet e ushqimeve në sasi pësuan rritje vjetore me 14%, teksa importet Kroacia dhe Moldavia sollën shtesën më të madhe, kryesisht nga sasitë më të lartë të drithërave dhe zarzavateve.

Sipas të dhënave të tregtisë së jashtme, importet nga vendet e përfshira në tabelë arritën në rreth 716 mijë tonë, nga 628.2 mijë  tonë në janar–qershor 2025, ose 14% më shumë .
Rritja nuk ka ardhur vetëm nga partnerët tradicionalë tregtarë, por edhe nga një shtim i shpejtë i importeve nga disa vende që më parë kishin një peshë të kufizuar në furnizimin e tregut shqiptar.

Rriten importet nga Europës Lindore dhe vendet e rajonit

Shtesa më e madhe në sasi e ushqimeve  u regjistrua nga Kroacia. Importet nga ky vend u rritën nga 4200 tonë në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 në 26,400 tonë në të njëjtën periudhë të vitit 2026. Në terma absolutë, rritja ishte rreth 22 mijë tonë ose 526%. Vetëm Kroacia gjeneroi afërsisht një të katërtën e rritjes së përgjithshme të importeve të evidentuara në tabelë. Rritja u dominua nga drithërat.

Një zgjerim edhe më i fortë në përqindje u shënua nga Moldavia. Importet nga ky vend u rritën nga vetëm 376 tonë në më shumë se 20.1 milionë kilogramë. Shtesa vjetore ishte rreth 19.8 mijë tonë, me një rritje prej mbi 52 herësh, kryesisht nga drithërat.

Rritje të konsiderueshme pati edhe nga Ukraina, me rreth 12.2 milionë kilogramë më shumë, duke arritur në 26.7 milionë kilogramë. Importet nga Maqedonia e Veriut u shtuan me 11.5 milionë kilogramë, ose 71%, ndërsa ato nga Greqia u rritën me rreth 11 milionë kilogramë, ose 14%. Rritja nga këto vende u dominua nga drithërat, zarzavatet dhe bulmeti.

Këto pesë vende së bashku sollën një shtesë prej rreth 76.6 milionë kilogramësh, duke përbërë pjesën dërrmuese të rritjes vjetore.
Të dhënat tregojnë një zhvendosje të pjesshme të furnizimeve drejt vendeve të Europës Lindore dhe të rajonit. Përveç Kroacisë, Moldavisë, Ukrainës dhe Maqedonisë së Veriut, importet  e ushqimeve u rritën edhe nga Bullgaria me 66%, Hungaria me 44% dhe Rumania me 8%.
Furnizimet nga Mali i Zi u shtuan me 72%. Në të njëjtën kohë, importet nga disa vende më të largëta u rritën ndjeshëm. Nga Brazili u importuan rreth 19 milionë kilogramë, 34% më shumë se një vit më parë. Importet nga Argjentina u zgjeruan me 80%, ndërsa ato nga Ekuadori u rritën me 14%.

Rritja e importeve nga Amerika Latine lidhet zakonisht me produkte të tilla si mishi, drithërat, frutat, sheqeri, kafja dhe produkte të tjera që nuk prodhohen në sasi të mjaftueshme në vend. Megjithatë, për të përcaktuar faktorët konkretë të rritjes kërkohet ndarja e të dhënave sipas grupmallrave./Monitor