Zbulim tronditës për Botërorin 1998: Na detyruan të pezullonim kontrollet antidoping për Francën

Një deklaratë e ish-ministres franceze të Sportit, Marie-George Buffet, ka rikthyer në qendër të vëmendjes Botërorin e vitit 1998, të fituar nga Franca. Ish-zyrtarja pranoi se kontrollet antidoping të papritura ndaj kombëtares franceze u pezulluan përpara nisjes së turneut.

Rrëfimi është bërë publik në dokumentarin “Zidane, fabrika e një legjende”, kushtuar trajnerit të ri të Francës, Zinedine Zidane, dhe është transmetuar nga televizioni francez BFMTV.

Sipas dokumentarit, në vitin 1997 u zhvillua një kontroll antidoping i paparalajmëruar gjatë grumbullimit të Francës në Tignes. Megjithatë, trajneri Aimé Jacquet dhe Federata Franceze e Futbollit reaguan ashpër, duke argumentuar se kontrollet pengonin përgatitjet e skuadrës për Kupën e Botës.

Mjeku Alain Garnier, i ngarkuar nga Ministria e Sportit për kryerjen e kontrolleve, deklaron në dokumentar se pas polemikave mori një urdhër verbal nga ministrja Buffet që të “mos i shqetësonte më ‘Blutë’ deri në përfundim të Kupës së Botës”, turne që Franca e fitoi për herë të parë në histori.

E pyetur për këtë deklaratë, ish-ministrja nuk e mohoi ngjarjen.

“Nëse doktor Garnier e thotë këtë, atëherë po, do të thotë se është e vërtetë. Ishte një hap pas në luftën kundër dopingut”, pranoi Marie-George Buffet.

Deklarata ka ngjallur reagime të forta, pasi hedh hije dyshimi mbi mënyrën se si u menaxhuan kontrollet antidoping për kombëtaren franceze në prag të Botërorit të vitit 1998, edhe pse nuk paraqet prova se lojtarët francezë kishin përdorur substanca të ndaluara.

The post Zbulim tronditës për Botërorin 1998: Na detyruan të pezullonim kontrollet antidoping për Francën appeared first on GIJOTINA.