Messi dhuron 80 mijë euro për të prekurit nga zjarret në Madrid

Lionel Messi ka bërë një gjest humanitar, duke dhuruar 80 mijë euro për të ndihmuar banorët e prekur nga zjarret shkatërruese që goditën rajonin Sierra Oeste të Madridit gjatë muajit korrik.

Lajmi u bë i ditur nga presidentja e Komunitetit të Madridit, Isabel Díaz Ayuso, e cila e falënderoi publikisht yllin argjentinas për kontributin e tij.

“Dua ta falënderoj dhe t’i them se njerëzit e Madridit shpresojnë ta mirëpresin sërish së shpejti për t’i dhënë duartrokitjet që meriton”, shkroi Ayuso në rrjetet sociale.

Sipas autoriteteve rajonale, donacioni do të përdoret për rindërtimin e zonave të dëmtuara, pasi flakët përfshinë rreth 27 mijë hektarë tokë, duke prekur 17 komuna. Zjarret shkaktuan dëme të mëdha në pyje, toka bujqësore, ferma, banesa dhe infrastrukturë.

Komuniteti i Madridit ka vënë në zbatim një plan rimëkëmbjeje që përfshin ndihmë për familjet e prekura, bizneset dhe të vetëpunësuarit, si edhe investime për riparimin e rrugëve dhe restaurimin e zonave pyjore.

Kontributi i Messit i bashkohet fondeve publike dhe private të mbledhura për rikuperimin e Sierra Oeste, ndërsa shërbimet e emergjencës vijojnë punën në terren për rehabilitimin e zonave të goditura nga zjarret.

The post Messi dhuron 80 mijë euro për të prekurit nga zjarret në Madrid appeared first on GIJOTINA.