Flakët rrezikojnë banesat në Kostar të Finiqit, dy helikopterë ndërhyjnë për shuarjen e zjarrit

Dy helikopterë janë angazhuar për shuarjen e zjarrit në Kostar të Finiqit. Flakët, siç shihet edhe nga pamjet rrezikojnë banesat.

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka kërkuar reagim të menjëhershëm nga qeveria për vatrën e zjarrit të aktivizuar në zonën e Matomares, në Bashkinë Finiq, e cila po përhapet drejt Mesopotamit dhe fshatrave të Bashkisë Delvinë.

Ajo i bëri thirrje autoriteteve të shtojnë forcat në terren, të angazhojnë Emergjencat Civile dhe Forcat e Armatosura, si edhe të kërkojnë ndihmë ndërkombëtare për ndërhyrje ajrore nëse është e nevojshme, ndërsa paralajmëroi se çdo vonesë rrezikon të përsërisë fatkeqësine e zjarreve të vitit të kaluar në Delvinë.

Reagimi i Ina Zhupës:

Një vatër e rrezikshme zjarri është aktivizuar paraditen e sotme në zonën e Matomares, në territorin e Bashkisë Finiq. Flakët po avancojnë në drejtim të Mesopotamit dhe po përhapen edhe drejt fshatrave të Bashkisë Delvinë.

Forcat vendore kanë ndërhyrë që në orët e para, por zjarri nuk është vënë ende nën kontroll. Në këto kushte, qeverisja qendrore duhet të reagojë menjëherë me të gjitha kapacitetet e saj. Duhet të shtohen forcat zjarrfikëse, të angazhohen strukturat e Emergjencave Civile, Forcat e Armatosura dhe, nëse është e nevojshme, të kërkohet menjëherë ndihmë ndërkombëtare për ndërhyrje ajrore.

E dimë mirë se avionët e shuarjes se zjarrit të premtuar nga Edi Rama çdo vit dhe medemek të blera vjet nga Pirro Vengu nuk ekzistojnë. Prandaj, mos humbni kohë po ndërhyni me të gjitha mjetet që keni. Çdo minutë vonesë i jep përparësi flakëve.

Nuk duhet të lejojmë që të përsëritet fatkeqësia e vitit të kaluar në Delvinë, ku mijëra hektarë u dogjën me pasoja të rënda për banorët, ekonominë dhe mjedisin që i vuajnë ende.

The post Flakët rrezikojnë banesat në Kostar të Finiqit, dy helikopterë ndërhyjnë për shuarjen e zjarrit appeared first on GIJOTINA.