Zjarr pranë repartit ushtarak në Gjirokastër, digjet një kasolle, shpëtohen kosheret e bletëve

Një zjarr ka rënë mesditën e kësaj të diele në vendin e quajtur “Poligoni”, mbi repartin ushtarak në Gërhot, Gjirokastër.

Sipas Drejtorisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MZSH) në Gjirokastër, njoftimi është marrë rreth orës 12:50.

Flakët kanë përfshirë një ambient të rrethuar me rrjetë teli, i përdorur si park bletësh, duke rrezikuar kosheret dhe objektet ndihmëse.

Në vendngjarje kanë ndërhyrë dy grupe zjarrfikësish, të cilët kanë bërë të mundur izolimin e flakëve dhe shuarjen e plotë të zjarrit.

Si pasojë e zjarrit është djegur një kasolle ku ruheshin materialet e bletarisë, ndërsa të gjitha kosheret e bletëve janë shpëtuar pa pësuar dëme.

Dyshimet paraprake janë se zjarri është shkaktuar nga pakujdesia gjatë përdorimit të tymit për kontrollin e bletëve. Ndërkohë, organet ligjzbatuese po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

The post Zjarr pranë repartit ushtarak në Gjirokastër, digjet një kasolle, shpëtohen kosheret e bletëve appeared first on GIJOTINA.