Konsullatat shqiptare në Bujanovc dhe ajo serbe nē Shkodër , – fllucka diplomatike! Kroacia lejoi hapjen e konsullatave serbe në Vukovar, Mostar dhe Rijekë

Nga Altin Ahmeti/

Serbia ka hapur konsullatë në Vukovar, qytet kroat në Sllavoninë Lindore, të cilin për rreth gjashtë muaj e bombardoi me mbi 700 tanke dhe artileri, duke vrarë, plagosur dhe dëbuar mbi 20 mijë persona. Qyteti i parë kroat që u pushtua nga forcat serbe u shkatërrua në masën rreth 90 për qind.

Gjithashtu, Serbia ka hapur konsullatë në Mostar, qytet të cilin nga viti 1992 deri në vitin 1994 e shkatërroi pothuajse tërësisht gjatë luftës në Bosnje, ndërsa një pjesë e madhe e popullsisë u detyrua ta braktiste vendin.

Serbiq, njē tjetër konsullatē ka hapur nē Rijekē, edhe pse nē këtē qytet nuk ka asnje serb.

Në këmbim të këtyre konsullatave serbe në Kroaci, ky vend përveç një ambasade në Beograd mori edhe një konsullatë në Suboticë, qytet ku jeton një pakicë kroate.

Hapja e tre konsullatave serbe në Kroaci, u shoqērua me debate të rēnda, zëra të lartë, kërcënime, pasi shoqëria kroate kishte vetëm pak vite që kishte dalë nga lufta.

Hapja e një konsullate nuk përcaktohet vetëm nga numri i banorëve të një komuniteti të caktuar në atë zonë. Konsullatat hapen edhe në vende ku mund të mos ketë fare banorë të shtetit përkatës, por që kanë rëndësi ekonomike, tregtare, kulturore, politike apo diplomatike.

Pikërisht këtu qëndron edhe debati rreth konsullatës së Serbisë në Shkodër. Argumenti se ajo nuk ka kuptim për shkak se në këtë qytet jetojnë vetëm rreth 57 serbë, anashkalon faktorë të tjerë si marrëdhëniet ekonomike, tregtare dhe kulturore, historike etj.

Por, duke e parë edhe nga aspekti emocional dhe krahasimi me rastin e Kroacisë, të cilin shqiptarēt e mbajnë pēr popull nacionalist dhe që nuk pranon të tregtojë interesat e veta nacionale, krahasimi është edhe më domethënës.

Nëse do të ishte vetëm çështje dëshire politike, Kroacia nuk do ta kishte lejuar hapjen e konsullatave serbe as në Vukovar dhe as në Mostar, apo Rijekë.

Këto qytete kanë një peshë emocionale shumë më të madhe sesa Shkodra në raport me Serbinë, pasi lufta atje ka përfunduar vetëm para disa vitesh, dhe numri i viktimave civile kroate vlerësohet dhjetëra mijëra njerëz.

Vukovari ishte qyteti i parë ku forcat serbe zgjodhën të demonstronin fuqinë ushtarake duke e kthyer në gërmadhë, si mesazh kundrejt rezistencës kroate.

Shkodra, duke përjashtuar dimensionin emocional të luftës në Kosovë, nuk ka pasur një konflikt të drejtpërdrejtë ushtarak me Serbinë prej më shumë se një shekulli. Që nga viti 1913.

Gjatë Luftërave Ballkanike të vitit 1913, ishin kryesisht forcat malazeze ato që synonin pushtimin e Shkodrës, tē cilin donin ta kthenin në kryeqytetin e Malit të Zi, ndërsa divizionet serbe shkuan në ndihmë të tyre, pasi këta të fundit nuk po arrinin ta pushtonin.

Serbia e kuptoi qysh herët se Austro-Hungaria nuk do ta lejonte aneksimin e qytetit të Shkodrës dhe u përpoq të siguronte zona të tjera strategjike, si daljen në detin e Shëngjinit dhe rripin detar deri në Durrës. Austro-Hungaria mbronte Shkodrën qysh pas vitit 1850, me pretekstin se aty jetoonte një pjesë e krishterë e popullit shqiptarë.

Në fund, Shkodra mbeti pjesë e Shqipërisë dhe Serbia jo se jo, por as Mali i Zi nuk arriti të vendoste kontroll mbi këtë qytet.

Rëndësia strategjike e Shkodrës për Serbinë u zvogëlua edhe më tej pas pavarësisë së Malit të Zi në vitin 2006 dhe të Kosovës në vitin 2008. Për këtë arsye, hapja e konsullatës serbe në Shkodër shihet nga shumë analistë si një çështje me dimensione të politikës së brendshme serbe, përtej një nevoje të drejtpërdrejtë diplomatike.

Në Serbi prej vitesh ekziston narrativa se Shkodra është një qytet më i hapur ndaj kulturës serbe.

Prandaj, rëndësia e konsullatës në Shkodër nuk mund të krahasohet me hapjen e një konsullate në Luginën e Preshevës. Për herë të parë në historinë e kësaj zone, hapet një konsullatë e një shteti tjetër dhe ky shtet është Shqipëria. Vendim dyfish .ë I rëndësishēm.

Një element tjetër që bie në sy është fakti se konsullata nuk po hapet në Preshevë, ku shqiptarët përbëjnë shumicën absolute, por në Bujanoc, komunë ku përbërja etnike e popullsisë është e ndarë pothuajse në mënyrë të barabartë mes shqiptarëve dhe serbëve.

Bujanoci dhe Presheva janë pjesë e një korridori të rëndësishëm strategjik, Korridorit 10, që lidh Beogradin me Selanikun. Këto zona historikisht kanë qenë pjesë e hapësirave të lidhura me Kosovën, por pas ndryshimeve administrative, pas vitit 1945, mbetën brenda Serbisë.

Kosova fitoi disa komuna në veri gjatë procesit të saj politik, por humbi lidhjen e drejtpërdrejtë me një pjesë të këtij korridori strategjik dhe mbeti jashtë një hapësire të rëndësishme ekonomike e infrastrukturore. Pa harruar popullatën prej 100 mijë shqiptarëve.

Për më tepër, duke qenë se Kosova dhe Serbia nuk e njohin njëra-tjetrën si shtete, Prishtina nuk mund të hapë ambasada apo konsullata në territorin e Serbisë. Në këto kushte, këtë rol e merr dhe duhet ta marrë Shqipëria, e cila në Kushtetutën e saj përcakton edhe përgjegjësinë për mbrojtjen e shqiptarëve jashtë kufijve të saj.

Mbi 100 mijë shqiptarët e Luginës së Preshevës shume shpesh lënë pas dore. Kjo ndodhi edhe gjatë debateve për korrigjimin e kufijve, kur diskutohej mundësia që Kosova të përfitonte Preshevën dhe Bujanocin, së bashku me një korridor strategjik dhe një perspektivë më të mirë për shqiptarët e kësaj zone. Fati i këtyre 100 mijë qytetarëve as nuk diskutua ndonjeherë seriozisht, duke treguar qartē se njerzit nuk kanē kurrfarē vlere në mendjet e politikanëve.

Shqiptarët e lugines nuk duhet të trajtohen me indiferencë edhe sot, kur diskutohet hapja e një konsullate të Shqipërisë atje.

Ata që e kundërshtojnë këtë duke përdorur vetëm emrin e Shkodrës, shpesh harrojnë një fakt themelor: Shkodra dhe i gjithë veriu i Shqipërisë nuk kanë kufi me Serbinë. Kufiri i Shqipërisë në atë zonë është me Malin e Zi.

Në fund, mbështetja për 100 mijë shqiptarët e Luginës së Preshevës është një investim në të ardhmen kombëtare.

Mund të zgjedhim të mos i ndihmojmë, por atëherë duhet të mbajmë përgjegjësi kur kjo zonë të zbrazet nga emigrimi masiv dhe kur shqiptarët të mos arrijnë të sigurojnë as jetesën bazë në vendin e tyre dhe do të kthehen në raste sociale.

Ata që sot bëjnë krahasime të pavendta në mes këtyre dy zonave, duhet të kuptojnë dallimet historike, gjeopolitike dhe strategjike që ekzistojnë mes tyre.