Italia çon në BE modelin e Shqipërisë: Meloni propozon qendra riatdhesimi në Afrikë

Emergjenca e emigrantëve në Ceuta do të jetë në qendër të një mbledhjeje urgjente të ministrave të Brendshëm të Bashkimit Europian, që do të zhvillohet të martën, pas rritjes së presionit migrator në kufijtë jugorë të BE-së.

Takimi është kërkuar nga 22 liderë europianë përmes një letre të iniciuar nga Italia dhe Danimarka, si dhe nga një kërkesë e veçantë e kryeministrit spanjoll, Pedro Sánchez.

Sipas mediave italiane, Italia do të paraqesë një propozim të ri, të frymëzuar nga modeli i marrëveshjes me Shqipërinë.

Ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi, pritet të propozojë ngritjen e qendrave të riatdhesimit për emigrantët e parregullt në vendet afrikane, të financuara nga fondet e Bashkimit Europian.

Plani synon që emigrantët pa të drejtë qëndrimi në BE të transferohen në këto qendra deri në përfundimin e procedurave të riatdhesimit.

Ndërkohë, autoritetet italiane kanë shtuar kontrollet në porte dhe aeroporte, ndërsa opozita i ka kërkuar kryeministres Giorgia Meloni të raportojë në Parlament për masat që po ndërmerren.

Kriza në Ceuta ka shkaktuar pasoja tragjike. Sipas autoriteteve spanjolle, numri i viktimave të konfirmuara ka arritur në 72 persona, ndërsa mediat lokale raportojnë se në brigjet marokene vijojnë të gjenden trupa të tjerë.

Sipas informacioneve paraprake, lista e vendeve që mund të përfshihen në projekt përfshin Ruandën, Ganën, Senegalin, Tunizinë, Libinë, Mauritaninë, Egjiptin, Ugandën, Etiopinë, Uzbekistanin, Armeninë dhe Malin e Zi.

Italia pritet gjithashtu të kërkojë zbatimin e plotë të mekanizmit GSP+, i cili hyn në fuqi më 1 janar 2027 dhe lidh përfitimet tregtare të vendeve në zhvillim me bashkëpunimin e tyre për riatdhesimin e emigrantëve që qëndrojnë në mënyrë të paligjshme në Bashkimin Europian.

Propozimi pritet të hapë një debat të ri në Bruksel mbi menaxhimin e migracionit, duke sjellë në qendër të diskutimeve modelin e bashkëpunimit mes Italisë dhe Shqipërisë.

The post Italia çon në BE modelin e Shqipërisë: Meloni propozon qendra riatdhesimi në Afrikë appeared first on GIJOTINA.