Breshëri të shtënash me armë gjatë një feste në jaht luksoz në Dhërmi

Të shtëna me armë zjarri janë raportuar mbrëmjen e së dielës në Dhërmi, duke shkaktuar alarm te pushuesit dhe banorët e zonës.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:30, ndërsa, sipas informacioneve paraprake, të shtënat janë regjistruar gjatë një feste të organizuar në një jaht.

Deri më tani nuk ka të dhëna të konfirmuara për persona të lënduar, ndërsa motivi i incidentit mbetet ende i paqartë.

Pas njoftimit, në zonë kanë mbërritur forca të shumta të Policisë së Shtetit, të cilat kanë rrethuar vendngjarjen dhe kanë nisur veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Grupi hetimor po administron prova, po merr dëshmi nga personat e pranishëm dhe po kryen kontrolle për identifikimin e autorit ose autorëve të dyshuar.

Njoftimi i Policisë:

Himarë/Informacion paraprak

Rreth orës 21:00 është njoftuar se nga një jaht në det, përballë Palasës, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në ajër. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare dhe të Njësisë Policore Detare janë vënë në ndjekje të jahtit.

Njëkohësisht, janë njoftuar edhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë dhe të Stacionit të Policisë Dhërmi, të cilat po kryejnë kontrolle nga toka përgjatë vijës bregdetare.

Vijon ndjekja e mjetit lundrues, me qëllim verifikimin e informacionit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes. Në përfundim të operacionit për ndalimin e jahtit dhe të veprimeve të para hetimore do të jepet informacion i plotë për rastin.

gijotina.com/

The post Breshëri të shtënash me armë gjatë një feste në jaht luksoz në Dhërmi appeared first on GIJOTINA.