Rama: Dronë superinteligjentë “Made in Albania” për mbrojtjen e hapësirës ajrore

Kryeministri Edi Rama deklaroi se industria shqiptare e mbrojtjes do të vijojë të zgjerohet me produkte të reja, ndërsa bëri të ditur se prezantimi i ardhshëm do të jetë i automjetit “Shota”, i cili, sipas tij, do të jetë 100% prodhim shqiptar.

Gjatë fjalës së mbajtur sot në aktivitetin për marrjen në dorëzim nga Forcat e Armatosura, të 40 mjeteve të para taktike të prodhuara në Shqipëri me standardet e NATO-s nga kompania “Timak Defence”, Rama tha se automjetet e prezantuara janë realizuar në bashkëpunim me kompani të mëdha të industrisë së mbrojtjes, ndërsa montimi është kryer në Shqipëri.

“Ceremonia tjetër do të jetë me ‘Shotën’, e cila është 100% prodhim i këtushëm, ndërkohë që këto prodhime në bashkëpunim me kolosë të industrisë që, siç thashë, kanë sjellë këtu pjesë këmbimi që të gjitha kanë ardhur në Shqipëri dhe me miratimin e tyre kanë edhe logon sot është dita kur FA nuk janë më një adresë për djem dhe vajza që nuk kishin asnjë rrugë tjetër por janë një flotë krenarie kombëtare”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “më vjen jashtëzakonisht mirë që ka një numër të rritur të atyre që duan të bëhen pjesë e FA-së dhe ju them se keni bërë zgjedhjen më të mirë, sepse jeni pjesë e një sektori të jetës ku pagat do t’ju rriten në vazhdimësi dhe ku do të jeni të parët, pas gjykatësve dhe prokurorëve. Atyre ua kemi dhënë më përpara, por do të jeni të parët që do të keni paga në mesataren e forcave të NATO-s. Sot e keni pagën më të lartë në të gjithë rajonin”.

Kryeministri Rama u bëri thirrje të rinjve që t’i bashkohen Forcave të Armatosura, duke nënvizuar se shërbimi ushtarak lidhet tashmë me teknologjinë dhe inovacionin.

“Nuk është më çështja ‘hajde se po shkoj ushtar’, por është çështja “po bëhem pjesë e një historie të re krenarie”, ku flitet për teknologji, inteligjencë artificiale, inxhinieri, prodhim, për gjëra krejt të tjera dhe patjetër ku trajnimi është me dinjitetin më të lartë”, tha Rama.

Kryeministri Rama bëri të ditur se “mezi pres që të fillojmë të tregojmë edhe disa gjëra të tjera që po fillojnë të prodhohen në Shqipëri, ku, siç e kemi premtuar, mbrojtja e qiellit, në samitin e NATO-s, ku do të jetë edhe presidenti i SHBA-së – e dini edhe ju si mbrohet nga qielli – mbrojtja e qiellit do të bëhet me dronë superinteligjentë të prodhuar në Shqipëri, “Made in Albania”. Tanimë jemi gati. Kemi bërë progres edhe për mbrojtjen më të sofistikuar kundërajrore, të cilën do ta ketë shumë shpejt edhe Shqipëria”.