Rama: Mandati i katërt, kthesë për PS! Kapitull i ri si parti që qëndron pranë njerëzve, detyra jonë të mos lidhemi pas pushtetit

Mandati i katërt duhet të jetë kthesë e madhe edhe për vetë PS që tanimë duhet të kalojë te kapitulli i ri i pranisë njerëzore. Kryetari i saj, njëherësh kryeministri Rama, kërkoi nga drejtuesit politikë që tashmë partia të jetë më pranë njerëzve dhe të tregojë që s’janë të lidhur pas pushtetit.

“Mandati i katërt, nuk mund, nuk duhet dhe duhet të bëjmë çmos të mos jetë si të mëparshmit. Duhet të jetë kapitulli i një kthese të madhe jo vetëm për faktin që Shqipëria do të mbyllë negociatat e anëtarësimit në BE, as që PBB do të kapërcejë kufirin e 30 mld euro në vit që përbën kthesë për ekonominë, por për PS duhet të jetë mandati i një kthese strategjike drejt njerëzve duke kaluar nga kapitulli i sotëm i pranisë elektorale te kapitulli i ri i pranisë njerëzore. Nga partia që kërkon votën e njerëzve te partia që rri pranë njerëzve kur u tregojnë çfarë duan. Nga dëgjimi i njerëzve si mirësjellje te detyrimi ynë për të qenë atje, nga halli i qytetarit që shënohet te halli që qahet dhe përgjegjësia që e ndjek shënimin deri te vajtja e përgjigjes. Nga qytetari që kërkon të hapë një derë, te partia që e ndihmon të gjejë rrugën. Nga forca e madhe politike që fiton ditën e zgjedhjeve te besimi që fitohet çdo ditë kur s’ka zgjedhje. Të qëndrosh gjatë në pushtet do të thotë të hapësh partinë, të hapësh vendimmarrjen, procesin qeverisës për njerëz të rinj jo thjesht në moshë, por në mendësi, të krijosh hapësirë për ide të reja, të prodhosh drejtues, jo vetëm ndjekës. S’dua që ne të qëndrojmë sa më gjatë në vendin ku jemi ulur, por t’i kryejmë sa më gjatë gjërat që do të qëndrojnë. Dua ta ngjisim Shqipërinë në BE, ta bëjmë të pakthyeshëm modernizimin e vendit, ta bëjmë të palëkundshme pavarësinë e drejtësisë, institucione që funksionojnë njësoj për të gjithë, t’i japim jetë një marrëdhënieje mes qytetarit dhe qeverisë, të guxojmë me kurajë zhvillime të reja në këtë epokë të re, të ecim me ide të qarta deri kur populli të flasë ndryshe me votën e tij. Detyra jonë nuk është t‘u provojmë që s’jemi të lidhur pas pushtetit, por të mos lidhemi pas pushtetit. Partitë ndryshken kur pushjnë së ndryshuari, plaken kur ngatërrojnë eksperiencën me pagabueshmërinë. Ne mund ta çojmë me sukses këtë mandat deri në fund dhe të kërkojmë të tjera mandate nëse do të dëgjojmë atë që nuk na votoi, të qajmë edhe hallin që nuk arrijmë të zgjidhim. Nëse ‘Prania besnike’ mbetet ndryshim i vërtetë i marrëdhënies sonë me njerëzit ne mund të vazhdojmë të bëjmë histori. Turp është vetëm të duash ta mbash pushtetin duke harruar për çfarë ta dhanë”, tha Rama.