Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ)u bashkohet 10 bashkë-nënshkruesve të këtij apeli duke dënuar përshkallëzimin e represionit brutal ndaj gazetarëve dhe shoqërisë civile në Shqipëri. Deklarata e përbashkët i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të shtojë presionin ndaj autoriteteve shqiptare.
Organizatat e nënshkruara, shprehin shqetësim serioz për përkeqësimin e lirisë së medias, hapësirës qytetare dhe debatit demokratik në Shqipëri gjatë mobilizimit qytetar në vazhdim, të njohur si Revolucioni i Flamingove.
Deklarata
Ne, organizatat e nënshkruara, shprehim shqetësim serioz për përkeqësimin e lirisë së medias, hapësirës qytetare dhe debatit demokratik në Shqipëri gjatë mobilizimit qytetar në vazhdim, të njohur si Revolucioni i Flamingove.
Gjatë dy muajve të fundit, gazetarët janë përballur me pengesa, sulme dhe ndërhyrje nga policia gjatë raportimit. Përdorimi i masave për shpërndarjen e turmave, përfshirë topat e ujit dhe gazin lotsjellës, ka ngritur shqetësime lidhur me domosdoshmërinë, proporcionalitetin dhe mbrojtjen e gazetarëve, si edhe të personave të tjerë të pranishëm. Procedurat penale të lidhura me protestat kanë ngritur gjithashtu shqetësime për transparencën dhe procesin e rregullt ligjor, ndërsa gazetarët, aktivistët, organizatat e shoqërisë civile dhe mbrojtësit e mjedisit janë identifikuar publikisht, janë shënjestruar personalisht dhe janë paraqitur si të paguar, të kontrolluar politikisht ose të drejtuar nga interesa të huaja.
Nga 27 kërcënimet dhe sulmet e regjistruara nga SafeJournalists Network gjatë vitit 2026, 15 kanë ndodhur vetëm në muajt qershor dhe korrik. Të marra së bashku, këto praktika e bëjnë raportimin, pjesëmarrjen paqësore dhe kritikën publike gjithnjë e më të rrezikshme. Këto shqetësime mbështeten në dokumentimin e vazhdueshëm dhe paralajmërimet publike të përsëritura nga organizatat e gazetarëve shqiptarë, mediat e pavarura, grupet e shoqërisë civile dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut.
Çdo akt dhune, kërcënim ose pengim ndaj gazetarëve duhet të hetohet, pavarësisht se kush është autori, dhe përgjegjësit duhet të mbahen përgjegjës. Incidentet individuale nuk duhet të përdoren si justifikim për ndërhyrje në raportim, kufizime të tubimeve paqësore apo delegjitimimin e lëvizjeve më të gjera qytetare. Gazetarët dhe punonjësit e medias duhet të jenë në gjendje të raportojnë për tubimet publike, operacionet policore dhe çështje të tjera me interes publik në mënyrë të sigurt dhe pa frikësim, pavarësisht medias ku punojnë, statusit të tyre të punësimit apo orientimit të perceptuar editorial.
Zyrtarët publikë dhe aktorët mediatikë kanë një përgjegjësi të veçantë që të mos veçojnë individë ose organizata, të mos vënë në dyshim legjitimitetin e tyre pa prova dhe të mos paraqesin kritikën, angazhimin qytetar apo bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë si veprimtari politike ose të paligjshme. Një retorikë e tillë nxit ngacmimet dhe dekurajon pjesëmarrjen në debatin publik.
Ne u bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare që:
-të garantojnë që gazetarët dhe punonjësit e medias të mund të punojnë lirshëm dhe në siguri, si edhe që organizatat e shoqërisë civile, mbrojtësit e mjedisit dhe qytetarët të ushtrojnë lirinë e shprehjes dhe të tubimit paqësor pa frikësim;
-të sigurojnë që menaxhimi policor i tubimeve të jetë në përputhje me parimet e ligjshmërisë, domosdoshmërisë, proporcionalitetit dhe përgjegjshmërisë;
-të zbatojnë plotësisht Protokollin e Policisë së Shtetit për Sigurinë e Gazetarëve; si dhe të garantojnë qasje në ndihmë juridike, kontroll mjekësor dhe informacion të qartë mbi arsyet dhe statusin e çdo mase policore;
-të hetojnë menjëherë, në mënyrë të pavarur dhe transparente, të gjitha incidentet e raportuara që përfshijnë dhunë, kërcënime, pengim, ndalim, pretendime për keqtrajtim ose përdorim joproporcional të forcës, pavarësisht nëse autori i dyshuar është polic, protestues, zyrtar publik apo aktor privat; të ruajnë provat përkatëse, të publikojnë gjetjet dhe të marrin masa për të parandaluar përsëritjen;
-të dallojnë pjesëmarrjen paqësore qytetare nga sjelljet individuale të paligjshme dhe të përmbahen nga veçimi publik, etiketimi politik ose ngritja e akuzave të pabazuara kundër gazetarëve, mediave të pavarura, organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarëve të angazhuar në debatin publik.
Ne u bëjmë thirrje Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, OSBE-së dhe misioneve diplomatike në Tiranë që:
-t’i ngrenë këto shqetësime drejtpërdrejt dhe publikisht me autoritetet shqiptare dhe të kërkojnë angazhime konkrete dhe ndjekje transparente;
-të monitorojnë ndikimin e përgjithshëm mbi lirinë e medias, lirinë e shprehjes, tubimin paqësor dhe pjesëmarrjen qytetare, dhe ta pasqyrojnë atë në vlerësimet për shtetin e së drejtës, të drejtat themelore dhe progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE;
-të vazhdojnë bashkëpunimin me shoqatat e gazetarëve, mediat e pavarura dhe shoqërinë civile, si dhe të mbështesin dokumentimin, ndihmën juridike dhe mbrojtjen për ata që përballen me kërcënime ose presion.
Përparimi i Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian duhet të matet nga fakti nëse gazetarët, organizatat e shoqërisë civile dhe qytetarët mund të mbikëqyrin autoritetin publik dhe të marrin pjesë në debatin demokratik pa frikë nga dhuna, frikësimi apo hakmarrja.
Ne do të vazhdojmë të monitorojmë zhvillimet dhe të mbështesim gazetarët, punonjësit e medias dhe aktorët qytetarë që përballen me kërcënime, frikësim ose ndërhyrje.
Nënshkruesit:
Balkan Free Media Initiative (BFMI) – Nisma Ballkanike për Median e Lirë
European Centre for Press and Media Freedom (ECPMF) – Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias
European Federation of Journalists (EFJ) – Federata Evropiane e Gazetarëve
Free Press Unlimited (FPU) – Free Press Unlimited
International Federation of Journalists (IFJ) – Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve
Osservatorio Balcani Caucaso Transeuropa (OBCT) – Observatori Ballkani, Kaukazi dhe Transeuropa
Reporters Without Borders (RSF) – Reporterët pa Kufij
Reporting Diversity Network (RDN) – Rrjeti për Raportimin e Diversitetit
SafeJournalists Network (SJN) – Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt
South East Europe Media Organisation (SEEMO) – Organizata e Medias e Evropës Juglindore
The post Dhuna brutale ndaj medias/ Reagon ashpër Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve: BE të shtojë presionin ndaj qeverisë appeared first on GIJOTINA.