Kampionët e Egnatias, sot në Celje të Sllovenisë luajtën ndeshjen e kthimit të turit të dytë të Champions League, ndërkohë që ndeshja e parë në Rrogozhinë ishte mbyllur në barazim 3-3.
Ishte një ndeshje, si vazhdim i asaj të parës. Kampionët e Egnatias kaluan të parë të epërsi, pas një autogoli të Hrkas (21’). Por rezultati barazohet shpejt, Kvesiç në minutën e 34-t, shënon për 1-1.
Me këtë rezultat mbyllet pjesa e parë, por edhe e gjithë ndeshja, ku çështja e kualifikimit i mbetet shtesave 2 herë nga 30 minuta. Dhe do të ishte përsëri kapiteni Kvesiç që do të shënonte në minutën 97-të nga pika e bardhë e penalltisë për 2-1.
Por ndeshja nuk kishte përfunduar, pasi në minutën e 114-t, do të ishte Smajli i ardhur nga stoli që do të shënonte për 2-2 dhe barazpeshonte gjithçka.
Te penalltitë, “thembra e Akilit” për Egnatian, fati nuk ishte me kampionët e Shqipërisë. Bitri dhe Ndreca gabojnë dhe Celje fiton 4-1, duke u kualifikuar për në turin e tretë të Champions League.
Një mbrëmje e hidhur për kampionët e Egnatias, të cilët lanë gjithçka në fushë dhe ndoshta meritonin më shumë për shpirtin e garës që treguan.
Gjithsesi aventura e Egnatias në Evropë nuk do të mbyllet këtu pasi ekipi i Nevil Dedes do të vijojë garimin në raundin e tretë kualifikues të Europa League ku përballë do të ketë kampionët e Irlandës, Shamrock Rovers.
The post Egnatia e pafat nga 11 metërshat/ Celje i eliminon nga Champions League, kampionët e Shqipërisë do të garojnë në Europa League appeared first on GIJOTINA.