Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën për tërheqjen nga gjykimi i shkurtuar të Fatime Kryemadhit

Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e Fatime Kryemadhit për të kundërshtuar vendimin që nuk i lejoi të tërhiqej nga gjykimi i shkurtuar.

Vendimi u mor këtë të martë nga Kolegji Penal, i cili la në fuqi vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).

Kryemadhi kishte ankimuar vendimin e ndërmjetëm të 15 qershorit, pasi kërkesa e saj për të hequr dorë nga gjykimi i shkurtuar nuk ishte pranuar nga GJKKO.

Me vendimin e Gjykatës së Lartë, procesi gjyqësor do të vijojë sipas procedurës së vendosur më herët.

Në dosjen e SPAK, Fatime Kryemadhi akuzohet se nuk justifikon burimin e 98 mijë eurove, 246 mijë dollarëve, 100 mijë eurove të deklaruara si pagesa nga kompania “Agi Cons” për shlyerjen e kredive, si dhe 310 mijë eurove të tjera që konsiderohen me burim të pajustifikuar.

Sipas organit të akuzës, për blerjen e apartamenteve janë marrë dy kredi, por ato janë shlyer me para në dorë, të cilat, sipas SPAK, nuk kanë një burim të ligjshëm të provuar.

Me vendimin e fundit të Gjykatës së Lartë, çështja pritet të vijojë në GJKKO pa ndryshime në procedurën e gjykimit.

 

The post Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën për tërheqjen nga gjykimi i shkurtuar të Fatime Kryemadhit appeared first on GIJOTINA.