Një operacion ndërkombëtar antidrogë, i koordinuar nga Prokuroria e Antimafias në Brescia të Italisë, ka çuar në sekuestrimin e mbi 2.6 tonëve kokainë dhe arrestimin e katër personave, mes tyre edhe një shtetas shqiptar.
Operacioni u zhvillua nga Guardia di Finanza e Brescias, përmes Komandës Operative Aeronavale dhe njësisë speciale S.C.I.C.O., në bashkëpunim me autoritetet e Spanjës dhe Portugalisë. Gjatë aksionit u ndalua një gomone oqeanike ultra e shpejtë e tipit “go-fast”, e bllokuar pranë brigjeve të Lisbonës nga Policia Detare portugeze.
Në bord ndodheshin katër persona, të cilët u arrestuan, dy shtetas spanjollë, një shtetas i Gjibraltarit dhe një shqiptar, ky i fundit banues në Mantova dhe me vendbanim në provincën e Brescias.
Sipas autoriteteve italiane, ngarkesa e sekuestruar ka një vlerë prej rreth 78 milionë eurosh në tregun e shumicës. Nëse do të arrinte në destinacion dhe do të shpërndahej në tregun e paligjshëm, droga do të gjeneronte një qarkullim të vlerësuar në rreth 500 milionë euro.
The post Sekuestrohen 2.6 ton kokainë nga Antimafia italiane, mes të arrestuarve edhe një shqiptar appeared first on GIJOTINA.