Një 37-vjeçar është vënë në pranga, pasi dyshohet se mashtronte qytetarët duke u marrë paratë për riparimin e automjeteve. Blutë bëjnë me dije se disa raste, ai dyshohet se ka tentuar edhe t’i shiste automjetet që i ishin lënë në servis. Gjatë hetimeve u dokumentuan 6 raste mashtrimi, ku Mirjan Hasa, dyshohet se ka marrë pagesa nga klientët për riparimin e mjeteve, por nuk ka përmbushur detyrimet e tij. Ndërkohë, po punohet për dokumentimin e rasteve të tjera në këtë fushë, që mund të ketë kryer 37-vjeçari.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Finalizohet nga Komisariati Nr. 6, operacioni i koduar “Skema”. Arrestohet pronari i një servisi automjetesh në Astir, për mashtrim. Dokumentohen 6 raste të kësaj veprimtarie kriminale, të kryera nga ky shtetas. I arrestuari, përveçse nuk ka riparuar automjetet për të cilat është paguar, në disa raste ka tentuar t’i shesë ato. Sekuestrohen nga ambientet e subjektit, 5 automjete, të cilat iu lanë në ruajtje pronarëve të tyre.
Si rezultat i veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera menjëherë pas kallëzimeve të disa qytetarëve, se nuk kishin iu ishin riparuar automjetet, pavarësisht se i kishin paguar paratë, pronarit të një subjekti në këtë fushë, në zonën e quajtur “Astiri”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 finalizuan operacionin e koduar “Skema”.
Në kuadër të operacionit u arrestua shtetasi i dyshuar për veprën penale “Mashtrimi”, M. H., 37 vjeç, si dhe u dokumentuan 6 raste të kësaj veprimtarie kriminale. Përveç mashtrimit, nga hetimet dyshohet se në disa raste, 37-vjeçari ka tentuar të shesë automjetet që i ishin lënë për riparim. Punohet për dokumentimin e rasteve të tjera në këtë fushë, që mund të ketë kryer shtetasi M. H. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
The post Mashtronte klientët dhe tentonte t’u shiste makinat, arrestohet pronari i një servisi në Astir appeared first on GIJOTINA.