“Poshtë patronazhistët”/ Mbyllet tubimi i 51-të, protestuesit lënë shënimin në Bulevard: 23Korrik!

Qytetarët kanë mbyllur ditën e 51-të të protestës së tyre. Ata nisën grumbullimin në sheshin “Skënderbej” dhe më pas vijuan marshimin drejt Kryeministrisë, ku dhe zhvilluan fjalimet e tyre.

Të shumtë ishin qytetarët të cilët morën pjesë në tubimin e sotëm. Shumë prej tyre folën në podiumin e vendosur para Kryeministrisë ku kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Pasi përfunduan fjalimet, ata nisën marshimin në rrugët e kryeqytetit, ndërsa thirrën njëzëri “Edi Rama, o tradhtar, me Shqipërinë mos bëj Pazar”.

“Rama, jep dorëheqjen”, “Pa rini nuk ka Shqipëri”, “Poshtë patronazhistët”, “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve”, “Shqipëria kërkon revolucion”,  “O Erion, o legen, prite Ramën se po vjen” dhe “Ju erdhi fundi”, këto ishin disa nga thirrjet e tyre.

Ata kanë lënë një shënim gjigant në Bulevard, ku kanë shkruar “23 korrik”, datë në të cilën do të mbahet seanca e fundit plenare para pushimeve.

Kujtojmë se qytetarët u mblodhën edhe ditën e sotme para Parlamentit teksa zhvillohej një tjetër seancë plenare. Ata shprehën revoltën e tyre përmes thirrjeve “Parlamenti i krimit”, “Rama jepe dorëheqjen” dhe “Nuk na përfaqësoni”.

Një prej personazheve që u përball me revoltën e protestuesve ishte kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule. Teksa po hynte në këmbë brenda rrethimit të Kuvendit, Dule u bë objekt i thirrjeve të ashpra nga turma. Qytetarët nuk ngurruan t’i drejtoheshin me epitete fyese, duke thirrur në kor, “O hajdut me syze!”

gijotina.com/

The post “Poshtë patronazhistët”/ Mbyllet tubimi i 51-të, protestuesit lënë shënimin në Bulevard: 23Korrik! appeared first on GIJOTINA.