Zhvillim i ri në çështjen Veliaj, ndryshon trupa e Gjykatës së Lartë që do të shqyrtojë rekursin

Ka ndryshuar trupa gjykuese që do të shqyrtojë rekursin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në Gjykatën e Lartë, pas dorëheqjes së gjyqtarit Ilir Panda nga shqyrtimi i çështjes.

Pas tërheqjes së Pandës, me short është caktuar një trupë e re e përbërë nga Sandër Simoni, në cilësinë e relatorit, si dhe gjyqtarët Sokol Binaj dhe Albana Boksi.

Dosja e Veliajt u rikthye për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 25 majit, e cila me shumicë votash vendosi kthimin e çështjes për një shqyrtim të ri.

Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025.

Ai dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, janë nën hetim për korrupsion në nëntë raste, ndërsa ndaj Veliajt rëndojnë edhe akuzat për shpërdorim detyre dhe pastrim parash.

Tashmë, trupa e re e Gjykatës së Lartë pritet të shqyrtojë rekursin dhe të vendosë nëse masa e sigurisë “arrest në burg” do të mbetet në fuqi apo do të ndryshojë, duke shënuar një tjetër etapë të rëndësishme në procesin gjyqësor ndaj kryebashkiakut të Tiranës.

 

The post Zhvillim i ri në çështjen Veliaj, ndryshon trupa e Gjykatës së Lartë që do të shqyrtojë rekursin appeared first on GIJOTINA.