E rëndë në Shkodër! Gjendet i vrarë me armë zjarri brenda automjetit

Një ngjarje e rëndë kriminale është regjistruar mbrëmjen e së shtunës në qarkun e Shkodrës, ku një person është gjetur i pajetë brenda automjetit të tij, i dyshuar se është vrarë me armë zjarri.

Sipas njoftimit të Policisë, rreth orës 19:00, në aksin rrugor Prekal–Kir, është konstatuar në automjet trupi i pajetë i shtetasit Aleksandër Koçeku, i cili dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë nisur kontrolle intensive në zonë për lokalizimin dhe kapjen e autorit ose autorëve të dyshuar.

Paralelisht, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për administrimin e provave dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Hetuesit po kryejnë veprimet e nevojshme për të zbardhur rrethanat e krimit, si dhe për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë.

Policia pritet të japë më shumë detaje në vijim, ndërsa hetimet janë në zhvillim.

 

 

 

The post E rëndë në Shkodër! Gjendet i vrarë me armë zjarri brenda automjetit appeared first on GIJOTINA.