FIFA ndryshon VAR-in pas polemikave, vendos gjyqtarë shtesë në stadium për fazën finale të Botërorit

FIFA ka ndërmarrë një ndryshim të rëndësishëm në funksionimin e sistemit VAR për pjesën e mbetur të Kupës së Botës 2026, pas kritikave dhe polemikave të shumta për vendimet e arbitrave në fazën me eliminim direkt.

Rregulli i ri ka hyrë në fuqi që nga çerekfinalja mes Francës dhe Marokut.

Deri në këtë fazë, të gjitha vendimet e VAR-it merreshin nga Qendra Ndërkombëtare e Transmetimeve në Dallas, Teksas.

Sipas protokollit të ri, FIFA do të vendosë tashmë një zyrtar kryesor të VAR-it dhe një zyrtar rezervë brenda stadiumit, me qëllim që të shmangen problemet teknike apo vonesat e mundshme në komunikim me qendrën qendrore.

Në ndeshjen Francë–Marok, uruguaiani Leodan Gonzalez u caktua si zyrtar mbështetës i VAR-it, ndërsa Tatiana Guzman nga Nikaragua mori rolin e zyrtares rezervë.

Vendimi i FIFA-s erdhi pas disa episodeve të diskutueshme në fazën e 1/8-ave.

Një prej rasteve më të debatuara ishte përballja Argjentinë–Egjipt, ku kampionët në fuqi përmbysën disavantazhin 0-2 dhe fituan 3-2.

Trajneri egjiptian Hossam Hassan dhe sulmuesi Mostafa Ziko akuzuan gjyqtarin për vendime të njëanshme.

Edhe trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, kritikoi ashpër nivelin e arbitrimit pas ndeshjes ndaj Meksikës, duke e cilësuar të paqëndrueshëm vendimmarrjen e gjyqtarëve.

Megjithatë, shefi i arbitrimit në FIFA, Pierluigi Collina, mbrojti integritetin e gjyqtarëve dhe hodhi poshtë çdo akuzë për manipulim.

“Diskutimi konstruktiv për vendimet është pjesë e futbollit, por akuzat e pabazuara nuk kanë vend në sportin tonë. Askush nuk mund të vërë në dyshim integritetin e gjyqtarëve të Kupës së Botës”, deklaroi Collina.

Me këtë ndryshim, FIFA synon që VAR-i të jetë më i shpejtë, më i sigurt dhe më transparent në ndeshjet vendimtare të turneut, ndërsa presioni mbi arbitrat do të jetë maksimal në fazën finale të Botërorit.

 

 

 

The post FIFA ndryshon VAR-in pas polemikave, vendos gjyqtarë shtesë në stadium për fazën finale të Botërorit appeared first on GIJOTINA.