Zjarr në Portin e Vjetër të qytetit/ Digjen dhe fundosen dy anije, 14 të lënduar

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë dy anije të vogla të ankoruara në Portin e Vjetër të Marsejës, pranë Bashkisë së qytetit, duke shkaktuar fundosjen e tyre dhe plagosjen e 14 personave.

Sipas autoriteteve lokale, flakët shpërthyen rreth orës 10:30 dhe u përhapën me shpejtësi, duke shkatërruar plotësisht të dy mjetet lundruese përpara se ato të fundosesin.

Në operacionin e emergjencës u angazhuan rreth 150 zjarrfikës, të cilët, pas disa orësh pune intensive, arritën të izolonin dhe të shuanin zjarrin, duke parandaluar përhapjen e tij në pjesën tjetër të portit.

Kryetari i Bashkisë së Marsejës konfirmoi se 14 persona kanë marrë ndihmë mjekësore. Raportimet e para flisnin për nëntë të lënduar, gjashtë prej të cilëve ndodheshin në bordin e anijeve në momentin kur shpërtheu zjarri.

Shkaqet e incidentit mbeten ende të paqarta. Autoritetet franceze kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat që çuan në shpërthimin e flakëve.

Deri tani nuk raportohet për viktima, ndërsa dëmet materiale konsiderohen të mëdha.

The post Zjarr në Portin e Vjetër të qytetit/ Digjen dhe fundosen dy anije, 14 të lënduar appeared first on GIJOTINA.