FIFA shpjegon golin e anuluar të Kroacisë me Portugalinë, teknologjia zbuloi prekjen vendimtare të topit

FIFA ka reaguar zyrtarisht pas polemikave për golin e anuluar të Kroacisë në sfidën ndaj Portugalisë, duke sqaruar se vendimi u mor falë teknologjisë së integruar në topin zyrtar të Kupës së Botës.

Bëhet fjalë për një rast të veçantë, ku teknologjia “Connected Ball Technology” rezultoi vendimtare për identifikimin e një prekjeje minimale të topit gjatë ndërtimit të aksionit, çka bëri të mundur konfirmimin e pozicionit jashtë loje.

“Nga të dhënat e ofruara nga teknologjia ‘Connected Ball Technology’, e integruar në topin zyrtar adidas Trionda, u konfirmua se lojtari i Kroacisë, Igor Matanoviç, preku topin gjatë aksionit që çoi në golin ndaj Portugalisë.

Kjo i mundësoi arbitrit të përcaktonte saktë pozicionin jashtë loje dhe ta anulonte golin”, thuhet në njoftimin e FIFA-s.

Sipas institucionit më të lartë të futbollit botëror, sensorët IMU të vendosur brenda topit janë në gjendje të regjistrojnë edhe prekjet më të lehta.

Gjatë transmetimit televiziv, ky moment u ilustrua përmes grafikës së njohur si “heartbeat” (“rrahja e zemrës”), e cila shfaq kontaktin me topin dhe ndihmon zyrtarët e ndeshjes në marrjen e vendimeve sa më të sakta.

Portugalia fitoi takimin dhe siguroi kualifikimin, ndërsa në fazën e 1/8-ave do të përballet me Spanjën në një nga sfidat më të forta të turneut.

The post FIFA shpjegon golin e anuluar të Kroacisë me Portugalinë, teknologjia zbuloi prekjen vendimtare të topit appeared first on GIJOTINA.