Rrëzohet helikopteri i Marinës amerikane në Detin Arabik

Një helikopter MH-60S Seahawk i Marinës së Shteteve të Bashkuara, i caktuar në aeroplanmbajtësen USS George H.W. Bush, ka kryer një ulje emergjente në ujërat e Detit Arabik, sipas njoftimit të Flotës së 5-të amerikane.

Nga katër pjesëtarët e ekuipazhit, tre janë shpëtuar dhe ndodhen në gjendje të qëndrueshme shëndetësore. Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë për ushtarakun e katërt, i cili rezulton ende i zhdukur.

Autoritetet ushtarake amerikane kanë bërë të ditur se deri tani nuk ka asnjë tregues që incidenti të ketë qenë rezultat i një sulmi apo veprimi armiqësor. Shkaqet e rrëzimit janë ende nën hetim.

Ky është aksidenti i dytë me një helikopter ushtarak amerikan në rajon brenda pak javësh.

Më 9 qershor, një helikopter AH-64 Apache i Ushtrisë amerikane u rrëzua në Gjirin e Omanit.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se mjeti ishte goditur nga forcat iraniane, ndërsa ekuipazhi u shpëtua nga një mjet lundrues pa pilot i tipit Corsair.

Autoritetet amerikane pritet të japin më shumë detaje mbi rrethanat e incidentit sapo të përfundojnë hetimet dhe operacionet e kërkim-shpëtimit.

 

The post Rrëzohet helikopteri i Marinës amerikane në Detin Arabik appeared first on GIJOTINA.