Nga Kreshnik Spahiu
Dritëro Agolli dikur shkruante: “Do të vijë dita kur do të shikojmë duelin midis brezave të copës së bukës lyer me sheqer dhe brezave të quajtur ‘brezi i patatinave’.”
Revolucioni “Flamingo”, nëse kishte një vlerë ndryshe nga ato partiake, ishte fytyra qytetare dhe rinore që dominonte protestën. Vajza dhe djem 20-vjeçarë, të papërfshirë në politikë, demonstronin zhgënjimin e tyre me qeverisjen.
Madje, revolucioni u quajt i Gjeneratës Z, sepse mosha mesatare e pjesëmarrësve nuk kalonte 30 vjeç.
Por pse, papritur, drejtimi dhe përfaqësimi iu besua disa individëve kaq të ndryshëm nga mosha, arsimimi dhe edukimi i turmës?
* Pse 20-vjeçarët zgjodhën një 60-vjeçar?
* Pse të diplomuarit në Perëndim zgjodhën individë pa gjimnaz?
* Pse vajzat simpatike qytetare zgjodhën disa provincialë?
* Pse parfumi u zëvendësua nga djersa?
* Pse oferta paqësore gandiste u zëvendësua nga idetë me “plumba” dhe Avni Rustemi?
A ua morën protestën ujqërit e vjetër apo agjenturat?
Protesta, brenda 24 orësh, bëri tri lëvizje kundër SHBA-së:
* Zgjedhjen e një zëdhënësi të deklaruar antiamerikan.
* Ankesat e rreme të disa protestuesve për presion nga Ambasada e SHBA-së.
* Thirrjen për protestë më 4 korrik, ditën e pavarësisë së SHBA-së.
Mësohuni të kuptoni se në politikë nuk ka rastësi.
Nuk kanë faj 100% mediat botërore si CNN, BBC, ZDF, RAI, RTL, Reuters, The New York Times, AFP apo DW.
Të gjitha kanë një titull të ngjashëm: “Shqipëria, protesta anti-Trump.”
Mos lexoni vetëm Ramën apo Ballën, por mijëra gazeta dhe televizione perëndimore e lindore.
Të gjitha e trajtojnë si protestë antiamerikane.
Vetëm kioskat mediatike shqiptare thonë: “Rama burg, Berisha burg.”
Përralla me mbret. Vetëm idiotët e besojnë.
Sheshi po boshatiset çdo ditë, jo nga dhuna policore, jo nga gazi lotsjellës, jo nga uji i zjarrfikëseve, por nga zhgënjimi popullor.
Të gjithë prisnim liderin e flamingove si fytyra e kryeministrit të ardhshëm që do të qeveriste Shqipërinë.
24 ditë pritëm princin e kaltër dhe flamingot na nxorën kuaj të ngordhur, që nuk tërheqin dot asnjë karrocë në rrugën e gjatë që premtuan.
Rinia e bukur u asgjësua dhe u zëvendësua me disa qeleshe të palara, flokë të pakrehura dhe njerëz pa vizion.
Prej dy ditësh kanë filluar të rrihen me njëri-tjetrin, duke paralajmëruar prologun e një tragjikomedie politike.
Fatkeqësisht, populli shpresoi shumë, jo vetëm në largimin e dyshes Rama-Berisha, por edhe në prurjen e një Gjenerate Z të arsimuar. Por, fatkeqësisht, të gjithë do të zhgënjehen, sepse Rama dhe Berisha do të dalin të fituar.
Dje çuditerisht në kërkesat e tyre ata harruan Zvërnecin arsyen pse protestuan.
Mos u çudisni që javën tjetër të harrojnë edhe Ramën apo Berishën ashtu siç harruan Zvërnecin.