Një arratisje si në film nga burgu i Brindisit: I riu shqiptar ngjitet në mur dhe zhduket

Kapërceu murin e burgut dhe u zhduk, dalin emri dhe detajet e arratisjes së shqiptarit në Itali

Janë zbuluar detaje të reja mbi arratisjen e bujshme nga burgu i Brindisit në Itali, ku protagonist ishte një 23-vjeçar me origjinë shqiptare.

Media italiane La Repubblica që citon noa.al, raporton se i riu quhet Xhuljano Quku, i dënuar për trafik droge dhe kundërshtim të një zyrtari publik. Ai po vuante një dënim prej katër vitesh në burgun e Brindisit.

Sipas rindërtimit të ngjarjes, arratisja ndodhi mëngjesin e së enjtes. Në momentin e hapjes së oborrit të shëtitjes, 23-vjeçari ka kapërcyer murin që rrethon zonën e ajrimit dhe më pas është ngjitur mbi murin e jashtëm të sigurisë, duke arritur të largohet nga institucioni penitenciar.

Arratisja vuri menjëherë në alarm autoritetet italiane, të cilat nisën një operacion të gjerë kërkimi në provincën e Brindisit.

Megjithatë, liria e tij zgjati vetëm pak orë. Pas kontrolleve intensive, forcat e policisë arritën ta lokalizonin dhe arrestonin në zonën e Latianos, pranë banesës së të fejuarës së tij.

Sipas mediave italiane, hetuesit kishin përqendruar kërkimet pikërisht mes Latianos dhe Mesagnes, qytet ku Quku jetonte përpara arrestimit.

Pas arrestimit, 23-vjeçari u rikthye në burg, ku përveç dënimit ekzistues do të përballet edhe me akuza të reja për arratisje.

Ndërkohë, arratisja ka ndezur debat në Itali lidhur me kushtet e sigurisë në burgun e Brindisit. Sindikata e Policisë Penitenciare (SAPPE) ka denoncuar mungesën e personelit dhe mbipopullimin e institucionit.

Sipas sindikatës, në momentin e arratisjes polici i shërbimit ishte i detyruar të mbikëqyrte disa sektorë njëkohësisht, përfshirë edhe zona me të burgosur nën mbikëqyrje të lartë.

SAPPE pretendon se në burgun e Brindisit ndodhen rreth 270 të burgosur, ndërsa numri i efektivëve është vetëm 120, situatë që sipas tyre rrezikon seriozisht sigurinë e institucionit. Për këtë arsye, sindikata ka paralajmëruar se do të depozitojë kallëzim pranë prokurorive në rajonin e Pulias për mungesën e personelit dhe kushtet e vështira në burgje.

Xhuljano Quku

gijotina.com/

The post Një arratisje si në film nga burgu i Brindisit: I riu shqiptar ngjitet në mur dhe zhduket appeared first on GIJOTINA.