Një zhvillim i ri është regjistruar në procesin gjyqësor që lidhet me ligjshmërinë e emërimit të prokurorit të SPAK, Ols Dado.
Shoqata “Asociacioni Kombëtar i Medias dhe Drejtësisë” i është drejtuar Gjykatës Administrative të Tiranës me kërkesë për t’u pranuar si ndërhyrëse në procesin e nisur nga Erion Veliaj, ku kërkohet shpallja e pavlefshmërisë së emërimit të prokurorit Dado.
Në kërkesën e dorëzuar, e shqyrtuar nga gjyqtari Hazbi Balliu, shoqata argumenton: “Çështja nuk ka vetëm karakter individual, por prek drejtpërdrejt integritetin e sistemit të drejtësisë dhe mënyrën e ushtrimit të funksioneve të prokurorisë në Shqipëri”.
Sipas saj, nëse do të provohej se emërimi i Ols Dados është kryer në kundërshtim me ligjin, atëherë pasojat nuk do të kufizoheshin vetëm te statusi i tij personal, por mund të preknin edhe vlefshmërinë e procedimeve ku ai ka marrë pjesë si prokuror.
Shoqata e lidh interesin e saj edhe me rolin e prokurorit në hetime të rëndësishme, përfshirë dosjen e “21 Janarit”, një nga ngjarjet më të diskutuara në historinë e drejtësisë shqiptare, për të cilën edhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka konstatuar problematika në efektivitetin e hetimeve.
Në kërkesë theksohet se çdo dyshim mbi ligjshmërinë e statusit të një prokurori që ka trajtuar çështje me rëndësi të tillë publike merr peshë të veçantë institucionale.
Në përfundim, shoqata kërkon që gjykata të pranojë pjesëmarrjen e saj në proces, duke argumentuar se mbrojtja e transparencës dhe interesit publik justifikon përfshirjen në një gjykim që mund të krijojë precedent në kontrollin gjyqësor të emërimeve në sistemin e drejtësisë.