Eurodeputetja thirrje Ramës: Dëgjoni kërkesat e protestuesve, korrupsioni mbetet një sfidë kryesore

Eurodeputetja italiane, Cristina Guarda ka reaguar në lidhje me atë çka po ndodh në Shqipëri, ku qytetarët janë ngritur në protestë duke kërkuar largimin e kryeministrit Rama.

Përmes një postimi në rrjetin social Instagrami, Guarda tha se amendamenti për zonën e Vjosës-Nartës ku kërkohet ndalimi i ndërtimeve u miratua me shumicë, por kryeministri Edi Rama nuk e priti aspak mirë.

Guarda tha se Shqipëria ka shumë sfida përpara që lidhen me lirinë e shtypit, korrupsionin, presionet mbi drejtësinë, të drejtat e minoriteteve dhe  mbrojtjen e mjedisit. Po ashtu ajo thekson se kryeministri Rama duhet të dëgjojë kërkesat e protestuesve.

“Kryeministri Rama diskutoi amendamentin në një postim në Facebook, duke thënë se Parlamenti Europian, me një votim të minutës së fundit, ndau “faktet” nga “tymi” në lidhje me protestat për zonën e mbrojtur të Vjosës-Nartës. Është për të ardhur keq që po themi pikërisht të kundërtën”, shprehet eurodeputetja.

Postimi i eurodeputetes

Neni ynë për zonën e Vjosë-Nartës u miratua me shumicë të madhe, por Kryeministri shqiptar Edi Rama nuk e priti aspak mirë. Si të Gjelbër kemi zgjedhur të marrim një qëndrim të qartë kundër veprimeve në një nga zonat më të ndjeshme të Shqipërisë, rezultat i një modeli turizmi dhe zhvillimi eksploatues që injoron alarmet e komunitetit shkencor dhe kërkesat e shoqërisë civile, duke privilegjuar interesat ekonomike të pakëve.

Në raportin vjetor për Shqipërinë që kemi votuar dje në Strasburg, njohëm hapa përpara dhe një afërsi gjithnjë e më të madhe mes Shqipërisë dhe Europës, por nuk mjafton. Ka ende shumë aspekte ku duhet të punojmë në mënyrë të integruar, dhe protestat paqësore të këtyre ditëve hedhin dritë mbi to sepse na tregojnë një vend ku njerëzit angazhohen për të mirën e përbashkët, tejkalojnë interesat private dhe bashkohen për demokracinë, për të zgjedhur së bashku për fatin e territorit të tyre, që është një projekt politik.

Liria e shtypit, korrupsioni, presionet mbi gjyqësorin, të drejtat e minoriteteve dhe sot edhe mbrojtja e mjedisit: sfidat janë ende shumë. Ne kërkojmë një moratorium të menjëhershëm për autorizimet e reja, kantieret dhe projektet deri sa të ketë mbrojtje të zonave të mbrojtura. Ta ndalojmë këtë model, të dëgjojmë kërkesat e atyre që dalin në shesh.

The post Eurodeputetja thirrje Ramës: Dëgjoni kërkesat e protestuesve, korrupsioni mbetet një sfidë kryesore appeared first on GIJOTINA.