Senatori i njohur demokrat amerikan, Bernie Sanders, ka reaguar publikisht lidhur me protestat kundër projektit turistik të planifikuar në zonën e Zvërnecit, duke e cilësuar atë si një shembull të “oligarkisë globale”.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Sanders iu referua protestave të zhvilluara në Shqipëri kundër resortit luksoz që lidhet me Jared Kushner dhe partnerët e tij nga Katari.
Në reagimin e tij, Sanders shkruan:
“Në Shqipërinë e vogël, mbi njëqind mijë njerëz kanë dalë në rrugë kundër një resorti luksoz shkatërrues për mjedisin, i planifikuar nga dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, dhe partnerët e tij miliarderë nga Katari. Kjo është ajo se si duket oligarkia globale dhe njerëzit po thonë JO.”
Senatori amerikan e shoqëroi postimin me një fotografi nga protestat, duke vënë theksin te kundërshtimi qytetar ndaj projektit që ka ngjallur debate të forta në Shqipëri për ndikimin e mundshëm në mjedis dhe në zonat e mbrojtura natyrore.
Projekti i propozuar në zonën e Zvërnecit dhe lagunës së Nartës ka qenë objekt diskutimesh të vazhdueshme mes institucioneve, organizatave mjedisore dhe komuniteteve lokale. Kundërshtarët e tij argumentojnë se zhvillimi i një resorti luksoz në këtë zonë mund të dëmtojë ekosistemin dhe biodiversitetin e një prej hapësirave më të rëndësishme natyrore në vend.