Pakënaqësia qytetare nuk mund të injorohet, zëri i protestuesve duhet të dëgjohet –

Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë ka reaguar përmes një deklarate publike lidhur me protestat e zhvilluara në Tiranë, qytete të tjera të vendit dhe në diasporë, duke theksuar se zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet dhe të trajtohet me seriozitet nga institucionet dhe politika.

Në deklaratën e saj, Kisha Katolike shpreh mbështetje për të drejtën demokratike të protestës, ndërsa u bën thirrje forcave politike të gjejnë rrugën e dialogut dhe të japin përgjigje konkrete ndaj shqetësimeve të qytetarëve.

Sipas Ipeshkvijve, pakënaqësia e shfaqur në protestat e fundit nuk mund të neglizhohet dhe kërkon zgjidhje brenda kornizave demokratike dhe europiane.

DEKLARATË PËR SHTYP

Të dëgjohet zëri i njerëzve e të gjenden zgjidhje politike brenda kornizave të demokracisë

Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë po ndjek me kujdes zhvillimet shoqërore në vendin tonë, veçanërisht protestat që po zhvillohen në qytetin e Tiranës, në qytete të tjera të Shqipërisë e në diasporë. Shkak për këto protesta kanë qenë disa projekte që prekin zona natyrore të mbrojtura apo kundërshtohen problemet të premtuese, për të ndërtuar në to objekte që synojnë zhvillimin e një turizmi elitar.

Nga ana jonë si Ipeshkvij të Kishës katolike, vlerësojmë se zhvillimi i vendit duhet të ketë parasysh mbrojtjen e ambientit, por edhe respektimin e pronës së gjithkujt. Papa Françesku, në Letrën e tij Enciklike Laudato si’, thotë: «Parashikimi i impaktit ambiental të sjelljes dhe të projekteve kërkon procese politike transparente dhe që i nënshtrohen dialogut, ndërsa korrupsioni, që fsheh impaktin e vërtetë ambiental të një projekti, në këmbim të favoreve, shpesh çon drejt marrëveshjeve të paqarta që i lënë detyrimet për t’u informuar dhe në debat të thelluar» (LS 182).

Në këtë kuptim vlerësojmë, konsultimi dhe përfshirja e komuniteteve lokale që jetojnë aty dhe i agjencive që merren me mbrojtjen e ambientit është më se i domosdoshëm. Për ne, kjo gjë quhet zhvillim integral që duhet të marrë parasysh të gjitha dimensionet e jetës njerëzore si ato individuale ashtu edhe ato komunitare. Sikurse thotë Shën Pali VI, ky zhvillim duhet të përfshijë «të gjithë njeriun dhe krejt njeriun» (Populorum Progressio, 42). Kjo është pjesë e Doktrinës shoqërore të Kishës dhe ne ftojmë që çdo projekt zhvillimi të bëhet duke marrë parasysh, jo vetëm krijimin e strukturave e gjallimin e vetvetes, por të ketë në qendër njeriun me nevojat dhe të drejtat e tij private dhe komunitare.

Protestat e këtyre ditëve dhe pjesëmarrja e shumtë të rinjve dhe familjeve në to kanë nxjerrë në pah edhe një pakënaqësi ndaj sistemit politik aktual. Kjo pakënaqësi është vërejtur në pjesëmarrjen dhe në artikulimin e shumicës protestuese. Kisha nuk ka për detyrë të gjykojë zgjedhjet politike, por të orientojë ndërgjegjet. Ne jemi të bindur se zëri i njerëzve duhet të dëgjohet dhe të lexohet. I takon politikës të gjejë zgjidhje brenda kuadrit politik dhe demokratik. Këto janë rregullat e demokracisë evropiane ku ne aspirojmë të shkojmë. Nuk mund të injorohet zëri i shumicës së njerëzve që kanë të drejtën e pakundërshtueshme të shprehin mendimin e tyre dhe të kërkojnë ndryshime.

Ne ftojmë përfaqësuesit e politikës, që të gjejnë tryezën e dialogut, të japin përgjigjet e duhura ndaj qytetarëve të thjeshtë të popullit tonë që kërkojnë të mos anashkalohen, të dëgjojnë zërin e të rinjve që kanë të drejtë të ndërtojnë jetën e tyre këtu, pa iu nënshtruar fatalisht humbjes së shpresës dhe rrugës së emigrimit, plagë e cila në vitet e fundit ka emrin shpopullim i vendit.

Ne i lutemi Hyjit për popullin tonë, për politikanët dhe për të gjithë njerëzit vullnetmirë të këtij vendi, që të gjejnë, bashkë me rrugën e dialogut politik dhe shoqëror, edhe zgjidhjet e duhura brenda kornizave politike dhe demokratike të një vendi që ka si synim integrimin evropian.

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë