“Fol me etikë”/ Ballës dhe këshilltares së Ramës i del grupi parlamentar nga kontrolli, zbardhen mesazhet “sekrete”

Publikimi i një dokumenti udhëzues drejtuar deputetëve të PS-së, në një kohë që Edi Rama po përballet me protesta, ka krijuar përplasje të forta mes deputetëve socialistë, kreut të grupit Taulant Balla, dhe këshilltares së Kryeministrit Edi Rama, Jonida Shehu.

Shqetësimi nis me atë se kush e ka shpërndarë materialin, teksa këshilltarja e Ramës hedh dyshime se ai ka rrjedhur në media nga deputetët. Ndërkohë Taulant Balla kërkon nga deputetët që materialet që iu dërgohen të mbahen konfidenciale, të mos u jepen mediave.

I gjithë debate sërish ka rrjedhur në mediat, që kanë publikuar bisedat “sekrete” në grupin parlamentar, çka do të thotë se ‘një spiun’ i pashqetësuar nga Balla dhe këshilltarja e Ramës, ka vijuar të publikojë atë që zien mes deputetëve.

Nga mesazhet e publikuara duket se deputetja Zamira Sinaj është e prekur nga gjuha që përdor këshilltarja e Ramës, teksa i kërkon që të flasë me etikë me ligjvënësit.

Erion Malaj ka tentuar të mbyllë debatin, teksa shkruan se problemet tashmë dolën dhe duhet treguar pak më shumë kujdes.

Dokumenti që ka shqetësuar Ballën dhe Jonida Shehun, këshilltaren e Ramës, përcakton qartë jo vetëm tonin që duhet të përdoret në publik, por edhe mesazhet që duhet të përsëriten nga çdo përfaqësues i PS-së.

Udhëzimi i parë është domethënës. Socialistëve u kërkohet të heqin dorë nga gjuha e ashpër dhe të shmangin çdo shenjë arrogance apo cinizmi.

“Shmangni arrogancën, sa më modestë”, thuhet në dokument. “Ne asnjë moment cinizëm, por mirëkuptim”, vijon udhëzimi.

Po aq domethënës është edhe orientimi për të mos sulmuar protestën apo pjesëmarrësit e saj. “Jo akuza protestuesve, as protestës, por elementëve brenda saj”, thuhet në dokument.

E ndërsa deputetëve u kërkohet të shmangin arrogancën në publik, duket se në rradhët e tyre, pavarësisht asaj që shfaqet si një ‘trup i bashkuar’ situata zien, dhe ligjvënësit, sikundër shprehet Sinaj, trajtohen pa etikë, qoftë edhe nga një prej këshilltareve të Kryeministrit.

The post “Fol me etikë”/ Ballës dhe këshilltares së Ramës i del grupi parlamentar nga kontrolli, zbardhen mesazhet “sekrete” appeared first on GIJOTINA.