Dosja “Partizani”, ish-ministri Ruli në GJKKO: Procedurat u përshpejtuan që objekti të shpëtohej sa më shumë

Detaje të reja janë zbardhur nga dëshmia e ish-ministrit të Ekonomisë dhe Financave, Genc Ruli, përpara GJKKO lidhur me dosjen e privatizimit të ish-klubit sportiv “Partizani”.

Ruli ka bërë një renditje të problemeve historike me pronën publike në Shqipëri, duke lëshuar edhe deklarata të forta mbi menaxhimin shtetëror. Sipas Rulit, shteti shqiptar nuk i ka të regjistruara as sot pronat e veta, ndërsa në atë kohë vetëm një mori e vogël e tyre gëzonin një certifikatë pronësie.

I pyetur mbi saktësinë e verifikimeve në ministri, ai u shpreh se nuk mund të përgjigjej me siguri pasi si ministër nuk i bënte vetë ato verifikime në terren, por shtoi se besonte se kishte pasur punonjës të mirë. Ai sqaroi gjithashtu se ekspertët kontabël zgjidheshin nga vetë shoqata e tyre.

Ish-ministri deklaroi se Ministria e Ekonomisë jepte më shumë një sinjal politik që rridhte nga programi qeveritar, duke shtuar se pas këtij momenti ajo nuk kishte më të drejtë të niste procedura më vete, pasi në çdo rast propozimi vinte nga ministria që e kishte pronën nën varësi. Lidhur me procedurat e ish-klubit Partizani, Ruli argumentoi se ato u përshpejtuan me qëllim që objekti të shpëtohej sa më shumë, pasi gjatë viteve ai ishte shkatërruar dhe degraduar.

Ruli kujtoi se ka qenë ministër që nga viti 1991, kohë kur shteti kishte trashëguar të gjithë pronën publike dhe duheshin vite që ato t’u ktheheshin pronarëve, ndërsa të përndjekurit kërkonin dëmshpërblime. Ai theksoi se nuk mund të bëhej hallkë penguese në këtë proces, por thjesht do t’i vendoste një kufizim se sa vite do të mbahej.