Sulmohet banka në Gjermani, grabitësit marrin peng shoferin e blindit dhe mbyllen në kasafortë –

Një operacion i madh policor është duke u zhvilluar në  qytetin gjerman të Sinzig në Rheinland-Pfalz pas një sulmi jashtë një dege banke ku njerëzit po mbahen peng.

Sipas gazetës Bild, sulmuesit dhe të paktën një peng duket se janë bllokuar brenda kasafortës së bankës.

E gjitha filloi kur një kamion i blinduar për shpërndarjen e parave të gatshme ndaloi përpara bankës dhe një punonjës u kërcënua nga një burrë i panjohur, i cili e detyroi të hynte brenda bankës.

Siç raportohet nga mediat gjermane, një zëdhënës i policisë tha: “Ne besojmë se ka disa autorë dhe pengje brenda bankës . Një peng është shoferi i shpërndarësit të parave të gatshme. Nuk ka rrezik për qytetarët jashtë zonës që është rrethuar.”

Megjithatë, ai rekomandon që ata të qëndrojnë brenda.

Zëdhënësi i policisë nuk dha informacion në lidhje me numrin e personave në bankë, as për lëvizjen e ardhshme të policisë.

“Ne jemi shumë të kujdesshëm me informacionin sepse mund të ketë dikush që po monitoron median”, tha ai.

Policia ka rrethuar të gjithë qendrën e qytetit, e cila ndodhet rreth 20 kilometra jashtë Bonit, dhe ka vendosur forca të shumta përpara bankës, ndërsa helikopterët po fluturojnë sipër saj.