Britney Spears sërish në telashe ligjote

Britney Spears është akuzuar zyrtarisht për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit dhe substancave narkotike.

Sipas prokurorëve në Ventura County, ndaj këngëtares është ngritur një akuzë për kundërvajtje penale ndërsa ajo pritet të paraqitet në gjykatë më 4 maj. Megjithatë, për shkak të natyrës së akuzës, ajo nuk është e detyruar të jetë fizikisht e pranishme në seancë.

Autoritetet bëjnë me dije se në raste të tilla, kur i pandehuri nuk ka histori të mëparshme për shkelje të ngjashme dhe nuk ka pasur aksident apo të lënduar, shpesh ofrohet një marrëveshje e njohur si “wet reckless”. Kjo nënkupton pranimin e fajësisë për drejtim të pakujdesshëm të lidhur me përdorimin e alkoolit ose drogës, duke shmangur një dënim më të rëndë.

Nëse pranohet një marrëveshje e tillë, parashikohet një periudhë prove 12-mujore, ndjekja e një programi rehabilitimi për drejtim në gjendje të dehur dhe pagesa e gjobave përkatëse.

Spears, 44 vjeç, u arrestua më 4 mars. Sipas raportimeve, në automjetin e saj u gjet edhe një substancë e paidentifikuar dhe dyshohet se ajo ishte nën ndikimin e alkoolit dhe drogës.

Më 12 prill, këngëtarja u shtrua në një qendër rehabilitimi për trajtimin e abuzimit me substanca.

Burime pranë saj bëjnë të ditur se ky ishte një vendim i marrë me vullnet të plotë, me fokus përmirësimin e shëndetit mendor dhe fizik.

Sipas të njëjtave burime, familja e Spears e ka mbështetur plotësisht këtë hap, ndërsa artistja është e përkushtuar në procesin e rikuperimit dhe stabilizimit të jetës së saj.

The post Britney Spears sërish në telashe ligjote appeared first on Lapsi.al.