Akuzohet se vrau vajzën në Tiranë, prokuroria çon në gjyq libanezin Fadi Alwan

Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet dhe çoi në gjyq për libanezin Fadi Alwan për vrasjen e vajzës së tij, 24 vjeçares Rayyan Alwan. Sipas prokurorisë, ai do të gjykohet për akuzën e “Vrasjes në rrethana cilësuese”, vepër e cila parashikon dënim me burgim të përjetshëm. Trupi i pajetë i Rayyan Alwan, e cila u vra brenda një banese me qira në Tiranë, është tërhequr pak ditë më parë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Fadi Alwan mbërriti me të bijën nga Gjermania në Tiranë më 19 shkurt, nuk i tregoi askujt identitetin, e vrau me thikë në dhomën me qira në katin e tretë të një godine në rrugën “Gjon Muzaka” dhe iku me avion drejt Athinës, i qetë, ende pa u gjetur trupi i pajetë i së bijës, të cilën e zbuloi më 27 shkurt pronarja e banesës.

Ai mori gjithçka me vete, pasaportën e vajzës, celularin e saj me shpresën se nuk do të zbulohej. Nga Athina, në planin e tij të mirëorganizuar, 49-vjeçari udhëtoi drejt Amsterdamit, e më tej drejt Libanit. Lokalizimi i fundit është bërë atje dhe në bashkëpunim me Interpol, po punohet për arrestimin.

The post Akuzohet se vrau vajzën në Tiranë, prokuroria çon në gjyq libanezin Fadi Alwan appeared first on Lapsi.al.