Mjeti me qira bllokoi rrugën/ Policia e Lezhës gjen provat makinat me të cilat u ekzekutua çifti Mujeci

Vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë të ndodhur më 26.04.2026 në fshatin Balldren, ku u vranë me armë zjarri bashkëshortët Kreshnik Mujeci dhe bashkëshortja e tij.

Sipas Policisë së Shtetit, grupi i posaçëm hetimor po kryen veprime intensive për identifikimin dhe sekuestrimin e provave materiale, si dhe për kapjen e autorëve të shpallur në kërkim dhe personave të tjerë të dyshuar të përfshirë në ngjarje.

Provat e sekuestruara

Gjatë kontrolleve në terren, policia ka gjetur dhe sekuestruar:

automjetin tip “Volkswagen Polo”, pa targa, të dyshuar si i përdorur nga autorët gjatë atentatit; 2 gëzhoja arme zjarri model 56 të gjetura në brendësi të mjetit; veshjet e përdorura nga autorët gjatë kryerjes së krimit; një palë targa automjeti.

Nga këqyrja e automjetit, është konstatuar se ai kishte dëmtime në xhamin e pasmë dhe në xhamat anësorë, të shkaktuara gjatë ngjarjes.

Po ashtu, në oborrin e banesës së shtetasit B. K. është gjetur një tjetër automjet, i njëjtë në tipologji me mjetin e përdorur në krim, por me targa të rregullta.

Dyshimet e hetimit

Sipas hetimeve paraprake, shtetasi F. M. dyshohet se ka marrë automjetin tip “Volkswagen Polo”, të marrë me qira nga një familjar i tij në Rinas, ka hequr targat dhe në bashkëpunim me një nga personat e shpallur në kërkim, e ka përdorur për të bllokuar dhe qëlluar ndaj automjetit ku udhëtonin viktimat.

Pas kryerjes së krimit, mjeti dyshohet se është transportuar dhe fshehur në banesën e shtetasit B. K., me qëllim humbjen e gjurmëve. Masat procedurale

Në vijim të veprimeve hetimore:

është shpallur në kërkim shtetasi B. K., 22 vjeç, banues në fshatin Torovicë, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve dhe municionit”; është proceduar penalisht babai i tij, shtetasi N. K., 79 vjeç, për veprën “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve dhe municionit”.

Policia bën me dije se kontrollet në terren vijojnë intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.

Materialet i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.

gijotina.com/

The post Mjeti me qira bllokoi rrugën/ Policia e Lezhës gjen provat makinat me të cilat u ekzekutua çifti Mujeci appeared first on GIJOTINA.