Sherri me 3 të plagosur në Bulqizë, pezullohen dy efektivë të Policisë

Dy efektivë të policisë së Dibrës janë pezulluar nga detyra, njofton Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.

AMP ka ekzekutuar urdhrin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, e cila ka caktuar masat e sigurimit personal “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”,  ndaj dy punonjësve të policisë të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”.

Bëhet fjalë për;

Inspektor D. S., me detyrë Trupë Shërbimi i Trafikut Urban dhe Interurban, pranë DVP Dibër.
Inspektor D. S., me detyrë Trupë Shërbimi i Rendit Publik në Komisariatin e Policisë Bulqizë, pranë DVP Dibër.

Caktimi i masave të sigurisë u bë i mundur në kuadër të procedimit penal të vitit 2026, në lidhje me ngjarjen e datës 10.03.2026 në qytetin e Bulqizës, ku kanë mbetur të plagosur rëndë 3 shtetas.

Nga veprimet e thelluara hetimore ka rezultuar se këta punonjës policie nuk kanë përmbushur detyrat funksionale në zbatim të Ligjit për Policinë e Shtetit.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përfshirjen e mundshme të punonjësve të tjerë.

Ngjarja 

Tre persona kanë mbetur të plagosur me thikë mbrëmjen e djeshme në Bulqizë. Policia njofton se ata janë transportuar për ndihmë mjekësore më të specializuar drejt Tiranës.

Sipas policisë sherrit me thika i parapriu më herët një konflikt i çastit mes tre personave të cilët u shoqëruan në komisariat.

Pas kësaj familjarët e tyre u mblodhën në ambientet e jashtme të një lokali ku u konfliktuan fizikisht me njëri tjetrin dhe për pasojë 3 prej tyre mbetën të plagosur me thikë dhe u dërguan drejt kryeqytetit.

gijotina.com/

The post Sherri me 3 të plagosur në Bulqizë, pezullohen dy efektivë të Policisë appeared first on GIJOTINA.