Aksident fatal në Itali, humb jetën një person dhe në gjendje të rëndë një shqiptar –

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar në Friuli të Italisë, ku si pasojë ka humbur jetën një person, ndërsa një shqiptar ndodhet në gjendje të rëndë.

Sipas policisë, aksidenti ndodhi në zonën e Marianos, ku u përfshinë një kamion i drejtuar nga shqiptari dhe një furgon frigoriferik që drejtohej nga viktima. Përplasja ka qenë e fortë dhe me pasoja fatale për një nga drejtuesit e mjeteve.

Shoferi shqiptar është transportuar me urgjencë drejt spitalit në Udine me helikopter, ndërsa burime mjekësore bëjnë me dije se ai ndodhet në gjendje kritike dhe po lufton për jetën.

Identiteti i tij nuk është bërë ende publik, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit.