Zjarrfikësi Alban Laçi ka analizuar situatën e zjarrit që përfshiu dje një pallat pranë QSUT, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e ndërhyrjes dhe menaxhimit të operacionit.
I ftuar në emisionin “Dita Jonë”, Laçi u shpreh se përdorimi i disa mjeteve dhe mënyra e ndërhyrjes lënë vend për debat, sidomos sa i përket evakuimit dhe angazhimit të helikopterit.
“Pyetja që lind është: a ishte i nevojshëm evakuimi nga shkalla, autoshkalla aty? Kjo ha diskutim, sepse ky zjarr ka filluar nga pjesa e jashtme, nga fasada, dhe pastaj është futur brenda. Ato janë apartamente të izoluara dhe teknikisht nuk depërton në shkallë. Kur projektet janë projektuar, janë projektuar në mënyrë të atillë”, u shpreh ai.
Sipas tij, një nga problemet më të mëdha ishte përdorimi i helikopterit, të cilin e konsideroi të panevojshëm dhe joefektiv në këtë rast.
“Është një turp i madh përdorimi i helikopterit në këtë ngjarje sepse nuk kryen asnjë lloj funksioni. 7 mijë euro ora është kostoja e helikopterit. Pilotët e helikopterit i njoh personalisht, janë çuna të shkëlqyer. Edhe manovrat që kanë bërë aty duke hedhur ujin deri në fasadë… ndërhyrja është shumë komplekse dhe është përgjegjësi e Shërbimit Zjarrfikës, që drejton ngjarjen”, deklaroi Laçi.
Ai kritikoi gjithashtu mënyrën e përgjithshme të menaxhimit të situatës në terren, duke e cilësuar si të çorganizuar.
“Aty ishte një katrahurë, një rrëmujë që bëhet në çdo ngjarje në Shqipëri, dhe nuk menaxhohen ashtu siç duhet. Ka nevojë urgjente për ngritjen e shkollës së Shërbimit Zjarrfikës dhe largimin e politikës nga Shërbimi Zjarrfikës. Nuk mund të futet prefekti, apo X e Y, sepse janë gjëra teknike që duhet t’i zgjidhin teknikët. Ajo teknikë, për fat të keq, mungon në Shqipëri”, përfundoi ai.
The post “Ishte një katrahurë!“ Zjarrfikësi analizon situatën te kompleksi “Arlis: Turp i madh përdorimi i helikopterëve, nuk bënë asgjë appeared first on GIJOTINA.