Fermerët në Berat kritikojnë Berishën për Salianjin: Mendimi ndryshe s’mund të ‘vetëpërjashtohet’

Ditën e sotme kryedemokrati Sali Berisha ka zhvilluar një bashkëbisedim me fermerët e qarkut të Beratit.

Por gjatë bashkëbisedimit, disa prej fermerëve i vunë në dukje Berishës pakënaqësitë që kishin me drejtimin e Partisë Demokratike.

Njëri prej fermerëve, teksa mori fjalën kritikoi Berishën për përjashtimin e Ervin Salianjit nga PD, duke theksuar se mendimi ndryshe nuk duhet të ‘vetëpërjashtohet’

“Ne e quajmë Parti Demokratike që ka demokraci brenda vetes, ju keni dalë me atë sloganin dikush është vetpërjashtuar. Mendimi ndryshe nuk besoj të jetë i vetpërjashtuar. Jemi pak që të hapim konflikte brenda PD-së”, tha mes të tjerash fermeri.

Ndërkohë edhe një tjetër fermer ja vuri në dukje Berishës problemet e brendshme të PD-së, teksa i kërkoi kryedemokratit që të bënte çmos për bashkimin e mendimeve dhe ‘fraksioneve’ brenda PD-së.

“Që të forcohet Partia Demokratike mundësisht ato fraksionet dhe mendimet ti bashkojmë”, tha një tjetër fermer.

Ndërkohë Berisha ishte i prerë kur tha se do të tolerohen mendimet ndryshe, por se qëndrimet ndryshe nuk do të tolerohen. “Kush bashkëpunon me kundërshtarin nuk do të jetë më pjesë e kësaj partie”, tha ai.

Pjesë nga fjala e Berishës:
Kjo parti që në themelim e derisa të jetë e gjallë do të jetë 100 për qind e hapur për mendimin ndryshe pa asnjë diskutim. Por çdonjëri prej nesh duhet të dallojë mendimin ndryshe nga qëndrimi ndryshe.
T’i marrim me radhë. Nëse ti në forumet e partisë shtron çdo lloj mendimi, nuk do të ketë njeri pasojën më të vogël, por nëse bashkëpunon me kundërshtarin nuk do të jesh më pjesë e kësaj partie. Nëse ditën para zgjedhjeve bën thirrje të votohet deputeti kundërshtar, besoj se je ndarë me këtë parti.

gijotina.com/

The post Fermerët në Berat kritikojnë Berishën për Salianjin: Mendimi ndryshe s’mund të ‘vetëpërjashtohet’ appeared first on GIJOTINA.