“Nuk ia dolëm”, Ribaj mbetet i fundit, Bellai ndihet i bekuar: “Shyqyr Zotit”

“Ne ishim futur për të fituar, por si në ndeshjen me Tiranën, pësuam një gol sa filloi loja dhe pastaj gjithçka prishet. E filluam ndeshjen në disavantazh”. Andi Ribaj, trajneri i Flamurtarit, e ka të vështirë të gjejë fjalët, pasi dështoi të fitonte “finalen” e mbijetesës. Skuadra e tij është e fundit dhe tani shpëtimi është shumë i vështirë. “Rastet i patëm të gjitha, futbolli i tillë është. E mbajtëm në gjysmëfushën e tyre Vorën. Edhe në pjesën e parë bëmë futboll të mirë, por nuk ia dolëm”.

Ribaj ka keqardhjen që Flamurtari i tij nuk arriti të shfrytëzonte epërsinë territoriale dhe rastet e krijuara: “U munduam që të luanim me krahët, në pjesën e parë u munduam nga krahu i majtë, në pjesën e dytë ndryshuam sistem për të qenë sa më të shumtë në zonë, për të shënuar gol. Bëmë maksimumin, por ndeshja përfundoi në barazim”.

Një rezultat që e bën praktikisht më shumë se të vështirë, që në 5 javët e mbetura Flamurtari të rikuperojë pikët që i duhen ndaj rivalëve direktë: “Më vjen shumë keq sepse djemtë po luajnë, pësojmë gola për mungesë përqendrimi. Në minutat e para duhet të jemi shumë të vëmendshëm. Edhe me Tiranën pjesën e dytë e bëmë të mirë. Sot gjatë gjithë lojës mendoj që kemi bërë ndeshje shumë të mirë”, deklaroi Ribaj.

BELLAI: “SHYQYR ZOTIT NA DOLI PIKA”

“Është një pikë me vlerë pasi javët janë të pakta dhe ne duhet të llogarisim çdo pikë në ndeshjet që na mbeten. Si barazimi dhe fitorja, të luftojmë çdo ndeshje që të jemi ne atë që mos të shkojmë në ndeshjen e play out. I kemi mundësitë, dua të përgëzoj çunat”. Arjan Bellai kapet fort pas pikës së marrë në Vlorë, që nuk është maksimumi, por duke parë situatën e renditjes mund të jetë e mjaftueshme.

Tekniku i Vorës ndihet me fat që skuadra rezistoi dhe pranon se e zgjodhi ndeshjen defensive, për shkak se nuk donte të dilte pa pikë nga kjo sfidë: “Në një mënyrë ose tjetër, ju e dini që trajneri duhet të zgjedhë një mënyrë loje që gjithmonë të dalë pozitive, ose 1 pikë, ose 3 pikët. Kemi pasur edhe ndeshje të tjera në dorë. Sot vendosëm që të kishim mbrojtje të ngjeshur, sesa të dilnim pa gjë. Shyqyr Zotit na doli pika”, tha Bellai.

The post “Nuk ia dolëm”, Ribaj mbetet i fundit, Bellai ndihet i bekuar: “Shyqyr Zotit” appeared first on Lapsi.al.