Nga Brukseli në Moskë, zgjedhjet e Hungarisë ndezin skenën ndërkombëtare

Europa po mban frymën përpara zgjedhjeve parlamentare vendimtare të kësaj të diele në Hungari, në një përplasje ku politika e brendshme dhe ajo e jashtme ndajnë të njëjtën skenë. Për të kuptuar rezultatin, duhet parë nga të dyja anët e medaljes. Nga brenda, vendi gëlon nga protestat dhe tensionet ndaj kryeministrit Viktor Orbán, i cili ka vënë gjithë mekanizmin në punë për të mbajtur edhe për katër vite të tjera pushtetin. Nga jashtë, akuzat për ndërhyrje të huaja që kulmuan me një pretendim për një tentativë sabotimi ndaj tubacionit ‘Rrjedha Turke’, përmes të cilit gazi rus arrin në Hungari dhe deklaratat e liderve si Trump në mbështetje të Orban kanë ndezur gjakrat para vijës së finishit.

Ndërhyrja e huaj ka qenë një motiv dominues në fushatën e Orbán, në një garë që nga shumë analistë është konsideruar si “më e rëndësishmja në BE”, jo vetëm për këtë vit, por edhe për një periudhë më të gjatë. Në Hungari, këto zgjedhje konsiderohen si një moment kyç në historinë moderne të vendit. Në të njëjtën kohë, ato janë ndër më të rëndësishmet për Europën gjatë viteve të fundit. Rezultati mund të ndikojë jo vetëm në të ardhmen e BE-së dhe në nivelin e ndikimit rus në kontinent, por edhe në fatin e mëtejshëm të së djathtës populiste dhe ekstreme në Europë.

Duke qenë se rezultati do të ketë pasoja të menjëhershme për Europën dhe më gjerë, i nesërmi është një votim që Uashingtoni, Moska, Kievi dhe Brukseli duan ta ndikojnë.

Një humbje për Orbán pas 16 vitesh në pushtet do t’i hiqte konservatorve në mbarë botën një kampion ideologjik, duke i privuar njëkohësisht si Shtëpisë së Bardhë ashtu edhe Kremlinit një aleat të besueshëm.

Për kundërshtarët e tij, këto zgjedhje përfaqësojnë një mundësi të rrallë për të ndalur rrëshqitjen e vendit drejt autokracisë, për të zbutur shqetësimet e BE-së mbi korrupsionin dhe sundimin e ligjit, si dhe për të hequr një pengesë kryesore për ndihmën ndaj Ukrainës.

Pretendimet se pranë tubacionit u gjetën eksplozivë ngritën frikën se Orban mund të përdorë pretekstin e ndërhyrjeve të jashtme si justifikim për të kontestuar një rezultat të pafavorshëm. Por, pretendimet e Orban, që lidhën incidentin e tubacionit me ndërhyrje ukrainase, hasën në kundërshti.

Ekspertë të sigurisë, duke iu referuar burimeve të inteligjencës hungareze, kishin paralajmëruar më herët për një operacion sabotimi fals, që mund të targetonte infrastrukturën energjetike. Péter Magyar, rivali i Orbán në zgjedhje, e cilësoi këtë skenar si një “farsë të dobët” të inskenuar nga një “qeveri fasadë”. Aktualisht, partia e tij Tisza kryeson me rreth 13 pikë në sondazhet e pavarura, ndërsa sondazhet pranë qeverisë i japin Fidesz një avantazh prej 6.5 pikësh.

Mbështetja për qeverinë është dobësuar tre vitet e fundit pasi vendi është zhytur gjithnjë e më shumë në varfëri dhe inflacioni për momentin është më i larti në BE. Pakënaqësia publike është shtuar për shkak të kapitalizmit klientelist dhe kontratave publike të manipuluara në favor të njerëzve të afërt me Orbán, ndërsa pretendimi moral i Fidesz është dëmtuar nga skandalet që lidhen me fshehjen e dy rasteve të pedofilisë.

Ndërsa dita e zgjedhjeve afrohet, mundësia e humbjes së Orbán ka shqetësuar aleatët e tij ndërkombëtarë.

Lideri i së djathtës ekstreme në Holandë, Geert Wilders, e quajti Orbán “një luan në një kontinent të udhëhequr nga dele”. Po ashtu, administrata e Donald Trump u shpreh hapur pro Orban. Në një vizitë dyditore në Budapest, zëvendëspresidenti JD Vance deklaroi se ishte në Hungari “për ta ndihmuar Orbani në këtë fushatë”, ndërsa kritikoi ashpër ndërhyrjen nga Brukseli. Vance vlerësoi “bashkëpunimin moral” mes Amerikës së Trump dhe Hungarisë së Orbán në “mbrojtje të qytetërimit perëndimor”.

“Jam një admirues i madh i Viktor-it,” tha Trump. “Jam me të deri në fund. SHBA është me të deri në fund.”

Një humbje e Orbán do të largonte gjithashtu një qeveri miqësore ndaj Pekinit dhe shpesh të nënshtruar edhe ndaj Moskës. Marrëdhënia e përzemërt me këtë të fundit u bë e dukshme edhe në një bisedë telefonike që kryeministri pati me presidentin rus Vladimir Putin.

“Dje miqësia jonë arriti një nivel kaq të lartë sa unë mund të ndihmoj në çdo mënyrë,” raportohet se i ka thënë Orbani-Putinit. “Në çdo çështje ku mund të jem i dobishëm, jam në shërbimin tuaj.”

Për të theksuar idenë, mediat raportuan se Orban iu referua një fabule të Ezopit, ku një mi që ishte kursyer nga një luan, e shpëton më pas atë nga një rrjetë gjuetarësh. Komenti, sipas transkriptit të mediave, shkaktoi të qeshura nga ana e Putinit. Ndërkohë, ministri i Jashtëm hungarez Péter Szijjártó është akuzuar se ka ndarë informacione konfidenciale me zyrtarë rusë.

Vendi që do e ndiente menjëherë efektet e një ndryshimi pushteti në Budapest është Ukraina.

Marrëdhëniet mes dy vendeve janë tensionuar nga mosmarrëveshjet për të drejtat e minoritetit hungarez në Ukrainën perëndimore, furnizimet me energji dhe qëndrimet pro-Kremlinit të Orbán.

Në fushatat e mëparshme, Orbán ka folur për ndërhyrje të jashtme duke sulmuar figura si George Soros apo liderë europianë si Ursula von der Leyen. Këtë herë, objektivi i shfryrjes dhe patosit te tij politik ishte  presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

Orbán ka bllokuar një kredi prej 90 miliardë eurosh të BE-së për Ukrainën, një veprim që zyrtarë europianë e kanë kritikuar si një shkelje të solidaritetit brenda Unionit. Ekspertët paralajmërojnë se edhe nëse rizgjidhet, Orbán nuk ka gjasa të zbusë qëndrimet e tij, por përkundrazi mund të radikalizohet më tej. Në thelb, këto zgjedhje do të përcaktojnë nëse Hungaria do të mbetet një demokraci funksionale apo do të rrëshqasë më tej drejt autoritarizmit, duke vënë në provë vetë integritetin demokratik të Bashkimit Europian./ Financial Times

©Lapsi.al 

The post Nga Brukseli në Moskë, zgjedhjet e Hungarisë ndezin skenën ndërkombëtare appeared first on Lapsi.al.