Ministri i Jashtëm pas njoftimit të Ambasadës: S’ka arsye për alarm/ PD: Të mblidhet Këshilli i Mbrojtjes!

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, u shpreh se nuk ka asnjë arsye për të qenë të alarmuar, pavarësisht paralajmërimit të Ambasadës Amerikane.

“Dua të siguroj deputetin Shehu dhe këdo brenda dhe jashtë salle, ne i ndjekim me kujdes të gjitha paralajmërimet e aleatëve tanë. Jemi në kontakt me ata në Uashington, me partnerët në NATO.

Vlerësimi që kemi sot është që nuk ka asnjë arsye për të qenë të alarmuar. Ka pasur një komunikim nga Zyra e Shtypit të Kryeministrit. Duhet t’i bazohemi asaj. Ministritë e tjera do informojnë në kanalet e duhura, duke qenë në kontakt me qeverinë dhe Kryeministrin”, tha ministri Hoxha.

Deputeti Tritan Shehu ka reaguar sot në Kuvend lidhur me paralajmërimin e ambasadës së SHBA në Tiranë për rrezikun e mundshëm të sulmeve iraniane ndaj Shqipërisë.

Shehu kritikoi qeverinë për një komunikim që, sipas tij, “mbante erë mendjelehtësi dhe nënvlerësim”, duke theksuar se Kryeministri Edi Rama duhet të raportojë personalisht para Kuvendit dhe të përgjigjet ndaj pyetjeve dhe shqetësimeve të deputetëve mbi këtë çështje.

Deputeti kërkoi një veprim më të koordinuar të qeverisë për sigurinë kombëtare, duke shtuar se informacioni strategjik mbi kërcënimet ndaj vendit duhet të menaxhohet brenda institucioneve shqiptare.

“Një komunikim i djeshëm i qeverisë mbante erë mendjelehtësi dhe nënvlerësim. Rama duhet sot të referojë para Kuvendit, të dëgjojë pyetjet e deputetëve, shqetësimet e tyre mbiu këtë çështje. Nuk ka një reagim adekuat të Presidencës dhe qeverisë për mbledhjen e Këshillit të Mbrojtjes Kombëtare. E konsideroj seriozë paralajmërimin e djeshëm të ambasadës amerikane. Nuk mund të thotë qeveria jonë nuk jemi informuar. Njoftimi duhet të vinte nga institucionet shqiptare jo nga ambasada”, th ai.
gijotina.com/

The post Ministri i Jashtëm pas njoftimit të Ambasadës: S’ka arsye për alarm/ PD: Të mblidhet Këshilli i Mbrojtjes! appeared first on 27.