Është hakeruar faqja e KLGJ –

Prokuroria e Përgjithshme dhe Gjykata e Lartë kanë reaguar zyrtarisht në lidhje me pretendimin e grupit “Homeland Justice” se ka kryer një sulm kibernetik në sistemet e drejtësisë duke deklaruar se kanë në dorë të dhëna sensitive.

Në reagimin zyrtar, Prokuroria e Përgjithshme thotë se janë duke u kryer hetimet, ndërsa thekson se nuk ka gjurmë komprometuese deri më tani në formën e hakërimit.

“Për shkak të interesit në lidhje me hackerimin e mundshëm të faqes zyrtare së Prokurorisë së Përgjithshëm, ju bëj me dije se nga verifikimet e kryera nga eskpertet e sigurisë së IT-së nuk janë konstatuar gjurmë kompromentuese deri në momentin që flasim në formën hackerimit.  Stafet tona të IT-së janë duke monitoruar në mënyrë të vazhdueshme situatën”,- sqaron Prokuroria.

Ndërkohë, Gjykata e Lartë sqaron se sulmi i hakerave është bërë ndaj faqes (gjykata.gov.al) e cila është në menaxhimin e plotë të KLGj, dhe sipas njoftimit, nuk ka asnjë lidhje me sistemin e brendshëm apo faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë.

“Në lidhje me interesimin tuaj, ju bëjmë me dije se Gjykata e Lartë, nuk ka pësuar sulm kibernetik, por sipas protendimeve të Homeland Justice, grupit në Telegram, ka pësuar sulm kibernetik faqja gjykata.gov.al e cila është në menaxhimin e plotë të KLGj, dhe nuk ka asnjë lidhje me sistemin e brendshëm apo faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë”,- sqaron Gjykata.