“PD s’ka nevojë për servilë”/ Dogjani për përplasjen Berisha-Salianji: Të pranohen mendimet ndryshe

Ish-deputeti i Partisë Demokratike dhe njëkohësisht anëtar i Këshillit Kombëtar, Asllan Dogjani ishte sot i ftuar në “Kjo Javë” në News24.

Ai komentoi edhe garën për kreun e Policisë së Shtetit.

Dogjani theksoi se cilido që të zgjidhet në krye të Policisë, fillimisht do të duhet të marrë dritën jeshile nga kryeministri Edi Rama.

“Kryeministri nuk kalon një polic pa dijeninë e tij, jo më kreu i Policisë. Është një njeri që merret me detajet,” u shpreh Dogjani.

Ai shtoi se një drejtor i ri do të jetë thjesht “një kukull”.

 

“Një drejtor do të jetë një kukull. Po nuk iku Rama nuk ka shpresë, nuk është çështje individi por modeli. Nuk është mungesë ligji por krizë e thellë e mos zbatimit të ligjit. Ka krizë institucionale dhe të përgjithshme dhe kjo zgjidhet vetëm kur qytetarët të votojnë të lirë”, tha ai.

 

Ai ka folur në lidhje me problematikat brenda PD dhe përplasjen mes kreut të partisë Sali Berisha dhe ish-deputetit Ervin Salianji.

Dogjani u shpreh se mendimet ndryshe duhet të pranohen dhe se lufta duhet të bëhet brenda partisë në mënyrë që PD të përmirësohet. Ai ka shtuar se duhet të vlerësohen mendimet ndryshe dhe jo ato që “servilosen”.

“Në demokraci duhet të pranohen edhe mendimet ndryshme, unë nuk gjykoj asnjë individ sepse jam vetë që për shkak të parimeve u kam rënë drejt për drejt atyre që kanë tentuar t’i shkelin parimet. Gjithmonë në grup kam thënë mendimin tim dhe partia ka nevojë të thotë gjërat në grup, jo për servilë. E kam bërë luftën brenda dhe unë do të sugjeroja gjithkënd që lufta duhet bërë brenda PD për të ndihmuar partinë. Duhet një unifikim pas zgjedhjeve. Rreziku i qytetarëve është Rama me këtë qeveri, PD është në proces votimi dhe nëse duam të kemi zhvillim, ai vjen nga vota”, tha ai.

The post “PD s’ka nevojë për servilë”/ Dogjani për përplasjen Berisha-Salianji: Të pranohen mendimet ndryshe appeared first on GIJOTINA.