Zbardhen zonat malore të juglindjes, dëbora mbulon Dardhën dhe Voskopojën –

Zonat malore të juglindjes së vendit janë përfshirë nga reshje dëbore gjatë orëve të fundit.

Reshjet kanë qenë më të dendura në fshatrat turistikë të Dardhës dhe Voskopojës, ku trashësia e dëborës në Dardhë ka arritur deri në 10 cm.

Ndërkohë, në aksin rrugor Shtyllë–Qafë Mashkullore, në disa segmente, shtresa e dëborës varion nga 15 deri në 20 cm.

Dëborë është regjistruar gjatë orëve të fundit edhe në fshatrat e Devollit të Sipërm, si dhe në zona të tjera malore të qarkut të Korçës.

Deri më tani nuk raportohen probleme në qarkullimin e automjeteve.

Megjithatë, autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve që planifikojnë të udhëtojnë drejt këtyre zonave gjatë fundjavës, të jenë të pajisur me goma dimërore dhe të tregojnë kujdes të shtuar në rrugë.