Snajperistët vendosen në tarracat në zonën përreth Kuvendit të Shqipërisë

Kuvendi i Shqipërisë pritet të mblidhet sot në orën 10:00 në seancë plenare, ku në rendin e ditës është shqyrtimi i kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku.

Kjo çështje pritet të shoqërohet me debate dhe tensione politike në sallën e Parlamentit. Sipas axhendës, pika do të trajtohet e para menjëherë pas nisjes së seancës. Fillimisht do të mbajë fjalën vetë Balluku, ndërsa më pas do të paraqiten dy raportet e përgatitura nga përfaqësuesit e opozitës dhe të shumicës në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.

Pas prezantimit të raporteve, deputetët e opozitës dhe të mazhorancës do të shprehin qëndrimet e tyre përpara se çështja të hidhet në votim.

Ndërkohë, Partia Demokratike ka paralajmëruar protestë para godinës së Kuvendit në të njëjtën orë me zhvillimin e seancës plenare. Pak para nisjes së saj, forcat speciale janë vendosur në gatishmëri për çdo ndërhyrje të mundshme.

Policia e Tiranës ka marrë masa të shtuara sigurie, duke rrethuar zonën përreth Parlamentit me gardhe metalike dhe duke vendosur kufizime në qarkullimin e automjeteve në këtë perimetër.

Si në protestat e mëparshme, në tarracën e Kuvendit dhe në disa nga godinat përreth janë vendosur edhe snajperistë, të cilët monitorojnë situatën nga lart.

The post Snajperistët vendosen në tarracat në zonën përreth Kuvendit të Shqipërisë appeared first on Lapsi.al.